Ceremonia për nxënësit ekselentë, Rama ndan medaljet e arta: Nuk ka privilegj më të madh sesa të vlerësosh rezultatet tuaja
Në një komunikatë për mediat gjatë mesditës së të mërkurës, deputeti demokrat Arben Ristani ka publikuar ato që nga selia blu i quajnë si fakte tronditëse për rolin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, por edhe funksionarëve të emëruar prej tij, në kultivimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës.
Denoncimi i radhës vjen pas publikimit në mediet greke për shpalljen në kërkim të të ashtuquajturit baron i drogës, një trafikant me inicialet K.B. që kishte lidhje me qeverinë dhe drejtonte zyrën e Transportit në qytetin e Sarandës.
Inicialet janë bërë tashmë publike edhe nga Ristani, i cili tha se Klemend Balili konsiderohet tashmë jo vetëm prej opozitës, por edhe prej autoriteteve greke dhe shërbimeve të partnerëve ndërkombëtarë si koka e një organizate kriminale të narkotrafikut, madje deri atje sa të cilësohet edhe si “Escobari i Ballkanit”.
Opozita, siç u shpreh Ristani, e ka denoncuar që më 18 maj të 2014-s, kohë kur Rama e emëroi Klemend Balilin si drejtor të Transportit në qytetin e Sarandës. Balili, sipas PD-së është arrestuar në korrik të vitit 2006 me 750 kg kanabis.
Por Ristani ka shtuar më tej se Balili njihet edhe për lidhjet e forta politike, duke qenë sponsorizues i fushatës elektorale të PS-së në vitin 2013. E për këto lidhje të drejtpërdrejta, ai tha se rezultojnë të përfshirë kushërinjtë e ministrit Tahiri, Habilajt, nëpërmjet të cilëve ai ka pasur edhe lidhje me vet ministrin.
Por lidhjeve të drejtpërdrejta me të kërkuarin e autoriteteve greke nuk u kanë shpëtuar as disa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, gjithnjë sipas selisë blu, që ka përmendur emrat e Albert Pata, ish-drejtor i forcave të posaçme operacionale; Perlat Çullhaj, drejtor i Policisë së Durrësit; Jaert Çelaj, drejtor i Policisë së Vlorës; Aranit Arapi, drejtor i Policisë së Gjirokastrës; por edhe me ish-drejtorin e kufirit në Vlorë, Kastriot Skënderi, i cili u kap në 2015-n në zonën e Kakomesë me një kamion me 1 ton kanabis sativa.
Top Channel