Kisha katolike për reformën në drejtësi: Ja dy kërkesat tona

11/05/2016 00:00

Zërave që kërkojnë miratimin sa më parë të reformës në drejtësi u bashkohet edhe Kisha Katolike e Shqipërisë.

Konferenca Ipeshkvore mblodhi Asamblenë e Zakonshme të saj në datat 10 dhe 11 maj dhe ndër të tjera është diskutuar edhe reforma në drejtësi, ku Kisha ndalet sidomos në dy pika.

Pika e parë ku ndalet Kisha është ajo që ka të bëjë me integritetin e personave të zgjedhur dhe të atyre që do të shërbejnë në drejtësi.

“Së pari, kjo reformë duhet të garantojë që ato apo ata, të cilët do të përfaqësojnë popullin si të zgjedhur, apo që do të shërbejnë si të emëruar, të jenë figura të pastra nga precedentë kriminalë apo afera korruptive. Nevoja e njerëzve të përkushtuar dhe që shërbejnë pa interesa të dyta apo për të mbuluar të kaluarën e tyre, është një hap i rëndësishëm në ndërtimin e shoqërisë dhe sidomos në fuqizimin e organeve përfaqësuese në të treja pushtetet që njeh demokracia: legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori”, thuhet në deklaratën e Kishës Katolike.

Ndërsa në pikën e dytë, Kisha Katolike mbështet mosdiskriminimin, por kërkon nga ligjvënësit që të mos përfshijnë ligje që do të legalizonin martesat homoseksuale.

“Së dyti dëshirojmë të vendosim theksin në ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me ligjin e mosdiskriminimit. Kisha katolike mbështet nismat për mosdiskriminimin dhe reflektimi i saj nxitet nga kujdesi për çdolloj situate njerëzore që kërkon delikatesë dhe tutelë. Ne kërkojmë nga ligjvënësit që këto ndryshime, në një të nesërme, të mos prekin kodin dhe sensin e familjes, që për ne të krishterët është ajo e themeluar mbi martesën ndërmjet një burri dhe një gruaje”, shprehet Kisha Katolike.

Top Channel