Baba Edmond Brahimaj takon Papa Françeskun

11/05/2016 00:00

Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka zhvilluar një vizitë në Vatikan, ku për 45 minuta është takuar me Papa Françeskun.

Kreu i Kishës Katolike theksoi se 3 gjëra i kanë mbetur në mendje gjatë vizitës në Shqipëri; rinia, varrezat e shumta, të cilat sipas Papës tregojnë vuajtjet e popullit shqiptar, dhe vëllazërinë mes komuniteteve fetare në vend.

Papa Francesku dërgoi dhe një lutje për popullin shqiptar.

“Popullit shqiptar, me gjithë zemër, i jap bekimin tim dhe e lus Zotin ta mbrojë, ta ndihmojë të ecë përpara e kurrë, kurrë, kurrë, të mos e lejojë luftën ndërmjet bijve të tij. Amen!”, ishte lutja e Papës.

Nga ana e tij, Baba Haxhi Dede Edmond Brahimaj përgëzoi Papën për mesazhin në mbështetje të refugjatëve myslimane, duke u kërkuar shteteve të hapin jo vetëm dyert e shtëpive, por edhe të shpirtrave për ta. Gjithashtu Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve u shpreh se Shqipëria dhe komuniteti i bektashinjve bashkohen me thirrjet e Papës për luftë kundër rrymave radikale e terroriste.

Top Channel