Lu e Vlahutin me grupet e PS-së dhe LSI-së

10/05/2016 00:00

Një takim të pazakontë e cilësoi ambasadori amerikan Donald Lu, atë me grupin parlamentar të Partisë Socialiste, por që njëkohësisht tregoi dhe rëndësinë që SHBA i kushton reformës në drejtësi.

“Ne pranojmë se është e pazakontë që ambasadorët e huaj të takohen me grupe parlamentare. Mendoj se jemi në një udhëkryq të pazakontë për reformën në drejtësi,  i cili kërkon komunikim të pazakontë dhe vullnet politik. Prania ime sot këtu është shenjë e rëndësisë së kësaj reforme për qeverinë e SHBA-së”, u shpreh Lu.

Ndërsa për ambasadorin Romana Vlahutin, nuk është e pazakontë që partnerët të flasin mes tyre kur bëhet fjalë për reforma thelbësore: “Nuk mendoj se është fort e pazakontë që partnerët të flasin me njëri-tjetrin. Ne jemi këtu që Shqipëria të arrijë standardet e nevojshme për BE-në dhe që të çelen negociatat dhe të arrihet anëtarësimi në BE dhe jemi të angazhuar në një dialog si miq dhe partnerë”.

Për kryeministrin Edi Rama, ky takim kishte një tjetër simbolikë, pasi, sipas tij, Partia Socialiste e ka shprehur mbështetjen për reformën në drejtësi: “Vizita e ambasadorëve ishte stacioni i parë i unazës për të arritur tek dera dhe këtu i ranë pragut që të dëgjojë dera”.

Por, në të njëjtën kohë, Rama nuk mohoi dhe kontributin e Partisë Demokratike: “Nuk besoj që çdo gjë që PD-ja thotë është gabim. Nuk besoj se në çdo gjë që ata ngrenë shqetësime e kanë gabim, por besoj që duhet të korrigjojnë një orë e më parë pozicionimin. Duhet të qëndrojnë në tavolinë, duhet të jenë të vendosur për reformën dhe duhet të na çlirojnë të gjithëve nga kjo barrë shumë e madhe, që është një barrë mbi Shqipërinë”.

Më pas, ambasadorët Lu dhe Vlahutin u takuan me grupin parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku në fund ishte Petrit Vasili ai që shprehu dhe qëndrimin e LSI-së: “Nuk besoj se ka ndonjë moment të saj të pakapërcyeshëm. Asistenca e përhershme e EURALIUS-it dhe OPDAT-it lehtëson së tepërmi për të kaluar dhe ato ngërçe dhe mosbesime politike të cilat kanë qenë karakteristike në politikën shqiptare“.

Turi i takimeve të dy ambasadorëve do të përmbyllet të mërkurën, në orën 10, kur ata do të takohen me grupin parlamentar të Partisë Demokratike.

Top Channel