Vrau Diana Kastratin dhe u zhduk për 15 vite, Policia e Kosovës shpall në kërkim Adnon Jasharin Pas një seance dyditore tepër të tensionuar, Parlamenti grek ka miratuar me 153 vota pro dhe 143 kundër, nga 296 deputetë të pranishëm në sallë, dy projektligjet e diskutueshme të pensioneve dhe tatimtaksave, që do të sjellin masa me vlerë prej 5.4 miliardësh në këmbim të paketës financiare të ndihmës për vendin, në 3 vitet e ardhshme.
Kryeministri Tsipras ka mbrojtur reformat e qeverisë së tij, duke thënë se masat nuk prekin rreth 93% të popullsisë, ndërsa është kritikuar ashpër nga të gjithë udhëheqësit e tjerë të partive opozitare.
“Ne jemi të vendosur me çdo kusht, që ta bëjmë Greqinë të qëndrojë përsëri me këmbët e saj dhe për të thyer këtë nyje të korrupsionit, që ka qenë në pushtet për gjithë këto vite dhe që udhëhoqi vendin drejt falimentimit”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
“Çfarë bën ky projektligj që keni sjellë në Parlament? Rrit taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, duke çuar – me saktësi matematikore, – në shmangien e taksave dhe në evazion fiskal. Masat që ju propozoni përbëjnë, për fat të keq, gurin e varrit për çdo rritje të mundshme për ekonominë greke”, tha Kyriakos Mitsotakis, kreu i “Demokracisë së Re”.
Projektligji në fjalë ka ndeshur në kundërshtimin e ashpër të sindikatave greke, që shpallën një grevë 48-orëshe fundjavën e kaluar, ndërsa para votimit që mbaroi pas mesnate, protestues anarkistë kanë hedhur bomba molotov ndaj policisë në sheshin para Parlamentit, e më pas konfrontimet janë zhvendosur në lagjen “Eksarqia” të kryeqytetit.
Me votimin e dy reformave të kërkuara, sot ministri grek i Financave shkon në samitin e rëndësishëm të Eurogrupit në Bruksel, me shpresën të nënshkruajë marrëveshjen me huadhënësit e Greqisë, duke hapur edhe bisedimet për reduktimin e borxhit dhe duke bërë të mundur lëvrimin e ndihmës ekonomike, për të shmangur një pamundësi detyrimesh financiare, që Athina ka në muajin korrik ndaj huadhënësve të saj, FMN dhe BQE.
Top Channel