Verstappen: Jam shumë i lumtur për kalimin te Red Bulli

06/05/2016 18:00

Max Verstappen do të jetë përkrah Daniel Ricciardos te Red Bulli duke filluar që nga Çmimi i Madh i Spanjës, që do të zhvillohet javën e ardhshme në Barcelonë.

Piloti 18-vjeçar zëvendëson te skuadra austriake Daniel Kvyatin, i cili u ndëshkua me kalim te Toro Rosso për shkak të incidentit me Sebastian Vettel në garën e Rusisë.

Holandezi, i cili konsiderohet si e ardhmja e Formulës 1, nuk e fshehu entuziazmin për këtë mundësi që iu dha nga drejtuesit e skuadrës austriake.

“U gëzova shumë kur mësova lajmin. Nuk e prisja, por jam shumë i lumtur që m’u dha ky rast. Duhet të falenderoj drejtuesit e Red Bullit dhe mezi po pres që të drejtoj këtë makinë”, deklaroi Verstappen gjatë vizitës së tij te fabrika e Red Bullit.

Megjithatë, Verstappen preferon që të tregohet i kujdesshëm kur flet për pritshmëritë e tij në garën e Spanjës, pasi, sipas tij, i duhet ende të përshtatet me makinën e re.

“Për të qenë i sinqertë, në Spanjë shkoj pa shumë pritshmëri. Unë dua të përshtatem me makinën dhe ta kuptoj sa më mirë. Duhet të studioj shumë të dhëna dhe të shoh se çfarë bën shoku im i skuadrës, pasi ajo që ka më shumë rëndësi është të fitojmë pikë në gara”, vijoi Verstappen.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA