Dhuna në derbi, Tirana dënohet me 8 ndeshje pa tifozë

06/05/2016 19:30

Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare të Futbollit ka dënuar Tiranën me 8 ndeshje pa tifozë për shkak të trazirave pas derbit me Partizanin.

Ky dënim, që është dhënë për “dështim në përmbushjen e përgjegjësive, duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar pas ndeshjes dhe përgjegjësinë për sjelljen e gabuar të spektatorëve, llogaritet për ndeshjet brenda dhe jashtë stadiumit.

Gjithashtu, Komisioni i Disiplinës ka dënuar me 10 ndeshje pezullim edhe zyrtarin e KF Tiranës, Devi Mukën, i cili sulmoi zyrtarin e ekipit kundërshtar pas ndeshjes.

Edhe Partizani nuk shpëton pa dënime. Për sjellje të gabuar të spektatorëve (dëmtuan stolat e stadiumit, hodhën flakadanë dhe stola në fushën e lojës), klubi dënohet me 200 000 lekë gjobë, ndërsa zyrtari Amarildo Dajlani, për sulm ndaj kundërshtarit, dënohet me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Është hedhur poshtë kërkesa e Partizanit për fitore në tavolinë të ndeshjes, pasi sipas Komisionit të Disiplinës, “ndonëse jemi përpara dështimit në përmbushjen e përgjegjësive nga ana e KF Tiranës, nuk konstatohet ndërprerje e lojës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA