Mbledhja e partive me ambasadorët, SHBA: Po punojmë për javën tjetër

05/05/2016 00:00

Ambasadorët do të takohen me tre grupet parlamentare të martën e javës së ardhshme. Dita u konfirmua kur në Parlament nisën debatet se përse u shtynë takimet e parashikuara për të premten.

Sali Berisha: Pse e anuloi mbledhjen? Mbledhja u anulua dhe sesi kanë qenë të skeduluara mbledhjet, atë e kam nga burimi origjinal unë.

Taulant Balla: Ka një grup parlamentar që sapo ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar i PD. Grupi parlamentar i PS, po të duash zoti Sali je i ftuar, e ka mbledhjen të martën.

Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane, ambasadorët kanë rënë dakord që të takohen me secilin prej grupeve sipas madhësisë së tyre, që do të thotë me socialistët të parët dhe më pas me demokratët dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. 

Kur foli në Parlament, Edi Rama dha shpjegimin e  tij përse po ndodhin këto takime të pazakonta.

“Përfaqësuesit e SHBA dhe BE do t’i bien unazë Parlamentit që të takohen me ju, sepse jeni ju që nuk jeni të gatshëm ta votoni! Ju shihni në ëndërr shqiptarët që marrin armët që t’ju mbrojnë ju nga reforma në drejtësi”, u shpreh kryeministri.

A do të jenë gati demokratët për ta votuar? Kjo nuk u kuptua, pavarësisht se ish-kryeministri Berisha foli dy herë, më shumë se 1 orë, por jo për reformën në drejtësi.

Mospërmendja e reformës nga ish-kryeministri nuk i shpëtoi kryeministrit Rama, i cili e vuri në dukje çdo herë që bëri ndërhyrje.

“Foli me heshtjen e tij, asnjë fjalë për reformën në drejtësi. Këtë reformën në drejtësi Sali, do ta bëjmë apo jo? Do ta votosh reformën në drejtësi Sali? Përgjigju këtu!”, u shpreh Rama.

E vetmja herë që Sali Berisha e përmendi reformën, ishte kur nuk dha përgjgjie.

“Të besosh ti se e lë Surreli atë që të bëjë reformën, do të besosh që rrethi është katror”, tha Berisha.

Se cila do të jetë përgjigjia e demokratëve, kjo do të mësohet deri të hënën, kur pritet të mblidhet Komisioni për Reformën në Drejtësi.

Top Channel