La Liga, dominim në kontinentin europian

05/05/2016 00:00

Turnetë e futbollit europian të klubeve këtë sezon konfirmuan supremacinë e skuadrave spanjolle në kontinentin e vjetër, me La Ligën që po distancohet nga kampionati anglez në rezultate jashtë vendit.

Atletico dhe Reali i Madridit takohen sërish në një fianle Champions për herë të dytë në 3 vitet e fundit dhe kush mund të ishte spot më i mirë se ky për Primera Divizion.

Në vitin 2014 në Lisbonë ishte hera e parë që dy klube nga i njëjti qytet diskutojnë finalen, por këtë herë arena zhvendoset në Milano më 28 Maj. Skuadrat spanjolle së fundmi kanë fituar 47 nga 50 përballjet e dyfishta me vendet e tjera dhe nëse shorti nuk do vendoste ekipe iberike mes njëri-tjetrit, ndoshta edhe Europa Liga do ishte dominim total.

Spanja ishte vendi i vetëm që kishte 3 skuadra çerekfinaliste në të dy kompeticionet elitare kontinentale dhe statistikat janë impresionuese.

Formacionet nga gadishulli në 7 sezonet e fundit kanë fituar 4 herë Ligën e Kampionëve, diçka e destinuar të përmirësohet pavarësisht rezultatit të finales në “San Siro” këtë muaj.

Reali dhe Atletico përballen sërish me njëri-tjetrin pas 8 ndeshjeve mes tyre vitin e kaluar, dy në La Liga, dy në Kupën e Mbretit, dy në Superkupën e Spanjës dhe po kaq në Champions.

28 Maji prezanton shansin për hakmarrje te “colchoneros” por edhe pse “blancos” kanë fituar vetëm 1 herë në 10 ndeshjet e fundit ndaj formacionit të Simeones, sërish favorit është skuadra “galaktike”.

Top Channel