Sirianët po vijnë, kapen 16 klandestinë në Devoll; mes tyre një foshnje 2-muajshe

04/05/2016 00:00

Policia e Korçës ndali 16 refugjatë sirianë të cilët udhëtonin përmes kufirit shqiptar, pranë fshatit Vërnik të rrethit Devoll. Sirianët u kapën nga patrullat e shërbimit të Policise Kufitare të Kapshticës.

Nga 16 të ndaluar, nëntë prej tyre janë fëmijë, mes të cilëve edhe një foshnje dymuajshe. Ndalimi u bë rreth orës 13.00 të së mërkurës dhe sirianët ishin duke lëvizur në drejtim të piramidave i-24 dhe i -25.

Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ata rrëfyen se deri në kufirin grek i kishin sjellë taksistë grekë kundrejt një shume prej 50 euro. Më pas ata kishin udhëtuar 16 kilometra në këmbë derisa u kapën nga policia shqiptare.

Ata nuk kishin udhërrëfyes me vete, por nëpërmjet hartave do të udhëtonin drejt Kosoves e më pas në Serbi, me destinacion Gjermaninë.

Gjatë marrjes në pyetje nga specialistët e sektorit kufitar të policisë së Korçës, sirianët deklaruan gjithashtu se nuk kishin qëllim të ndalonin në Shqipëri dhe se më parë kishin qenë pjesë e kampit të Idhomenit në Selanik.

Sektori i migracionit në Drejtorinë e Policisë së Korçës do të kryejë veprimet proceduriale për t’i kthyer sërish drejt Greqisë të 16 refugjatët. Ata nuk kërkuan azil dhe kërkojnë të kthehen sërish në Greqi.

Ata janë sistemuar në stacionin policor të Kapshticës ku kanë marrë shërbim shëndetësor. Ata po mbahen nën kujdesin e vazhdueshëm të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

Top Channel