Reforma në drejtësi, Meta: Të miratohet sa më shpejt

04/05/2016 11:25

Në një konferencë për drejtësinë të mbajtur në Tiranë, Ilir Meta tha para studentëve se reforma në drejtësi është një domosdoshmëri për vendin dhe duhet të miratohet sa më shpejt.

“Reforma është kusht për hapjen e negociatave për hyrjen në BE dhe detyrim për të plotësuar standardet e legjitimitetit si vend anëtar i NATO-s. Është domosdoshmëri që ndryshimet kushtetuese të miratohen në javët dhe jo në muajt që vijnë. Përndryshe, agjenda e integrimit evropian të vendit do të vonohen. Zgjedhjet afrojnë dhe dallimet politike bëhen edhe më të fortë në këtë periudhë. Të gjitha janë në dëm të reformës”, tha kryeparlamentari.

Meta shtoi se “ku nuk ka konsensus, duhet të ndiqen rekomandimet e EURALIUS-it”.

“Unë do të bëj maksimumin për të nxitur një klimë mirëkuptuese dhe bashkëpunuese, në mënyrë që diferencat të mbyllen sa më shpejt dhe të miratohen ligjet kryesore, në mënyrë që të dërgojmë mesazhe të forta për të gjithë qytetarët që reforma nuk ishte lojë për lënie përgjegjësie dhe për ta bërë Shqipërinë më të sigurt në të ardhmen”, tha Meta.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani theksoi se reformat duhen nisur nga gjyqësori, pasi atë “nuk e beson askush”.

Top Channel