PD: Rama, lehtësi deri në momentin e fundit aleatit të tij, Arben Frroku

04/05/2016 20:25

Shefi i Departamentit për rendin dhe sigurinë në PD, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar se, të dhëna të reja tronditëse po dalin në lidhje me lehtësitë që Edi Rama i ka ofruar deri në fund aleatit politik, Arben Frroku.

“Sot ngrihen disa pyetje legjitime që kanë nevojë për përgjigje: A janë manipuluar nga autoritetet shqiptare shenjat e gishtave të Arben Frrokut në kartelën që shoqërojnë kërkesën për shpalljen në kërkim ndërkombëtar? A është dëmtimi ose manipulimi i shenjave të gishtave një nga arsyet përse u vonua procedura e ekstradimit nga Holanda të Arben Frrokut? A është urdhëruar policia të dërgojë në Holandë kartelë të re për Frrokun me shenjat reale të gishtave, pas denoncimit të zotit Berisha?”, është shprehur Alibeaj.

Ai ka nënvizuar se, “kur kartela me shenjat e gishtave që krerët e policisë dërgojnë në qendrën e Interpolit është e pavlefshme, atëherë policia e një vendi tjetër nuk mund të nisë procedurat e ekstradimit pasi konfirmimi i identitetit bëhet i pamundur”.

“Edhe një javë kohë i duhej aleatit të Edi Ramës t’i shpëtonte policisë holandeze e të fitonte sërish lirinë. Këto nuk janë thjesht dyshime për një rast të lidhjes së krimit me pushtetin, por janë pikëpyetje që vënë në dyshim Edi Ramën dhe qeverinë e tij”, ka thënë Alibeaj.

“Çfarë drejtësie mund të presim nga një kryeministër që i shërben deri në fund krimit dhe krijon lehtësi për vrasësin e dënuar përjetë të një oficeri të lartë policie, që nga arratisja e tij e deri në rastin kur ndalohet nga një shtet europian”, është shprehur ai. Sipas

Alibeaj, “është e qartë për çdo shqiptar se një kryeministër që mbron krimin është garancia më e mire se vendi nuk mund te njohë e të ketë drejtësi”.

“Prokuroria duhet të reagojë menjëherë e të hetojë me imtësi këtë rast. Nëse vërtetohet manipulimi i gjurmëve të gishtave, prokuroria duhet të nxjerrë para ligjit autorët dhe urdhëruesit”, ka shtuar eksponenti i PD.

Top Channel