
Nisma civile #ProReformës iu drejtua forcave politike parlamentare, grupeve të interesit dhe publikut shqiptar me thirrjen që reforma në drejtësi të votohet sa më shpejt.
“Shqipëria ndodhet para një momenti të rëndësishëm të historisë së 25 viteve të fundit, përpjekjesh të vazhdueshme për konsolidimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, zhvillimit ekonomik dhe mirëqënies sociale. Miratimi i reformës në drejtësi, siç dëshmohet edhe nga hulumtimet e fundit, është një prioritet që gëzon mbështetje masive nga ana e qytetarëve shqiptare. Rëndësia e kësaj reforme lidhet jo thjesht me rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Europian (BE). Ajo është një parakusht për pastrimin e sistemit të drejtësisë, të jetës politike dhe ekonomike të vendit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, si edhe për vetë funksionimin e shtetit të së drejtës, respektimin e të drejtave të qytetarëve dhe barazinë para ligjit”, lexohet në njoftimin e nismës, që kërkon miratimin e reformës brenda qershorit të këtij viti.
“Reforma në Drejtësi lidhet thelbësisht me proceset e brendshme demokratike dhe zhvillimore të vendit, me rivendosjen e besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet dhe sistemi demokratik, tek aftësia e proceseve dhe institucioneve për tu shërbyer qytetarëve, tek mundësia e një Shqipërie me demokraci funksionale dhe të zhvilluar ekonomikisht ku qytetarët shqiptarë gjejnë shpresën dhe realitetin e një vendi dhe shoqërie më të mirë. Zvarritja e mëtejshme ose dështimi i klasës politike në miratimin e Reformës do të ketë pasoja të rënda jo vetëm për procesin e Integrimit Europian të vendit duke e futur në një ngërç disa vjeçar, por gjithashtu do të shkatërrojë besimin qytetar tek ndryshimi i vendit, tek shpresa për drejtësi dhe barazi para ligjit, dhe tek aftësia e institucioneve tona për ta bërë të mundur këtë realitet. Ne, përfaqësues të grupeve të shoqërisë civile, rretheve akademike, sektorit privat dhe grupeve të tjera jo-shtetërore të interesit, vlerësojmë progresin e deritanishëm të Reformës në Drejtësi, mbështetjen e vazhdueshme të BE, ShBA dhe Komisionit të Venecias, si edhe gadishmërinë e shprehur të përfaqësuesve të BE për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë brenda muajit Dhjetor 2016 nëse palët politike në vend gjejnë konsensusin dhe miratojnë Reformën brenda muajit Qershor 2016. Ne u bëjmë thirrje partive politike parlamentare të përmbushin përgjegjësinë institucionale dhe morale para qytetarëve për miratimin sa më të shpejtë të Reformës në Drejtësi”, shton njoftimi.
Këtu mund të firmosni dhe ju peticionin #ProReformës në Drejtësi.
Top Channel