Interesat “vrapojnë” drejt zeros, BSH ul sërish normën

04/05/2016 00:00

Banka e Shqipërisë uli për herë të dytë brenda një muaji normën bazë të interesit duke e zbritur atë në minimumin e ri historik 1.25 përqind. Guvernatori tha se vendimi lidhet me zhvillimet e fundit në ekonomi.

“Në veçanti ambienti i jashtëm ekonomik shfaqet i përkeqësuar si në drejtim të rritjes së eksporteve tona ashtu dhe në drejtim të inflacionit, ndërsa besimi dhe klima e biznesit dhe e investimeve në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme. Këto zhvillime tentojnë të ngadalësojnë kthimin e ekonomisë në ekulibër. Duke u nisur nga këto zhvillime Këshilli uli normën bazë me 0.25 përqind”, deklaroi Guvernatori, Gent Sejko.

Por kjo mund të mos jetë ulja e fundit për këtë vit. Sejko parlajmëroi të tjera ndërhyrje.

“Duke gjykuar mbi informacionin e grumbulluar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar mund të rritet më tej gjatë vitit 2016, ndërsa cikli rritës i normave të interesit nuk do të fillojë para vitit 2017”, deklaroi Guvernatori.

Guvernatori tha se Banka ka ulur vlerësimin për rritjen ekonomike të këtij viti, por nuk dha detaje mbi masën e uljes. Veç kësaj, ai parlajmëroi për rreziqe të rritura.

“Në një horizont afatmesëm presim një rritje ekonomike në përmirësim, megjithatë, informacioni i ri ilustron rrezikun dhe pasiguritë që ka materializimi i këtij skenari”, u shpreh Sejko.

Kreu i Bankës tha se ulja e normës do të mbështesë ekonominë, por i kujtoi qeverisë se kjo masë nuk mund të ketë sukses e vetme.
 
“Kjo politikë duhet të shoqërohet me forcimin e ritmit të reformave në ekonomi si dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit”, tha Sejko.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA