Bie borxhi publik në raport me PBB-në. Por huatë rriten

04/05/2016 00:00

Borxhi publik i Shqipërisë arriti në 7.6 miliardë euro në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Të dhënat vijnë nga raporti i fundit i Ministrisë së Financave.

Sipas shifrave, gjatë 3 muajve të parë, borxhi shtetëror është zgjeruar me 120 milionë euro. Por, edhe pse është rritur në vlerë absolute, pesha e tij ndaj prodhimit kombëtar, që është edhe treguesi më i rëndësishëm, ka ardhur në ulje.

Sipas Ministrisë së Financave, nga 72.2 për qind e prodhimit kombëtar që ishte në fund të vitit të kaluar, borxhi shtetëror u ul në 69.28 për qind në fund të tremujorit të parë të këtij viti. Rënia me tri pikë përqindjeje është rezultat i dy faktorëve: huamarrjes me ritme më të ngadalta të qeverisë dhe zgjerimit të prodhimit kombëtar.

Megjithatë, rënia me tri pikë përqindjeje e borxhit publik është provizore, pasi shifra vjetore pritet të jetë më e ulët. Qeveria parashikon që ulja të jetë më e vogël deri në fund të vitit. Më konkretisht, sipas parashikimeve në buxhet, treguesi i borxhit pritet të ulet këtë vit në 70.9 për qind e prodhimit kombëtar, nga 72.2 për qind që ishte vitin e kaluar.

Pas vitit 2010, borxhi publik i vendit ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Viti 2016 pritet të jetë viti i parë, gjatë të cilit treguesi i borxhit të ulet, sipas parashikimeve në buxhet dhe angazhimeve që qeveria ka marrë para Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Top Channel