Ambasadorët: Mos guxoni ta bllokoni reformën, populli do t’ju ndëshkojë

04/05/2016 00:00

Për reformën në drejtësi ka nisur numërimi mbrapsht. Në tryezën e komisionit të posaçëm është një draft përfundimtar, i hartuar nga ekspertët ndërkombëtare dhe që si asnjëherë më parë jo vetëm u mbrojt publikisht në komision nga ambasadorët, por u vendosën edhe afate.

“I kërkoj komisionit sot të mbështesë një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komison deri në fund të majit dhe në Parlament deri në fund të qershorit”, deklaroi ambasadorja e BE, Romana Vlahutin.

Me reformën në drejtësi lidhet edhe e ardhmja europiane.

“Duke e miratuar këtë reformë përpara verës dhe duke nisur zbatimin në vjeshtë do të hapet një mundësi për Shqipërinë që të marrë një rekomandim pozitiv nga komisioni për hapjen e bisedimeve për anëtarësim”, tha Vlahutin.

Çfarë humbet Shqipëria?

“Nëse ky momentum humbet, vendi nuk do të humbë jo një, por shumë vite. Ne besojme se Shqipëria nuk mund të përballojë më humbjen e kohës. Nuk e ekzagjeroj kur them se kjo është një mundësi unike për Shqipërinë. Ju lutem mos e çoni dëm”, shtoi Vlahutin.

Ambasadori amerikan, Donald Lu ishte më pak diplomatik, por më i sigurte për finalen e reformës. “Nëse kjo reformë dështon, ju, anëtarët e këtij komisioni, turpëroni veten përpara atyre që ju kanë zgjedhur. Dhe gjithashtu do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian. Fatmirësisht, ne së bashku nuk do të lejojmë të dështojë”, paralajmëroi Lu.

Po nëse reforma bllokohet? Ambasadori amerikan, i cili prej gati një viti kryen negociatorin mes qeverisë dhe opozitës, përdori sërish tonin ultimativ si përgjigje.

“E mëshiroj partinë e verbër politike, apo udhëheqësin e shurdhër politik që e bllokon këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar duke e bllokuar këtë reformë”, theksoi Lu.

Mesazhi i fundit i ambasadorit amerikan ishte shumë i shkurtër. “Ndaj lërini lojrat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë!”, tha ai.

Top Channel