Reforma në Drejtësi, Lu dhe Vlahutin zhvillojnë tur në selitë e partive

03/05/2016 00:00

Reforma në Drejtësi ka hyrë në një fazë vendimtare, ku partitë duhet të shprehen nëse janë gati të mbështesin një draft përfundimtar me ndryshimet kushtetuese.

Top Channel mësoi se, drafti është gati dhe pritet të bëhet publik nga ekspertët ndërkombëtarë, në mbledhjen e thirrur të mërkurën.

Axhenda e takimit u vendos pas takimeve, që ambasadori amerikan Donald Lu nisi mëngjesin e së martës me kryetarin e Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafa, prej të cilit rikonfirmoi mbështetjen e mazhorancës.

Por, ambasadori amerikan ende nuk ia ka dalë të marrë konsensusin e opozitës për projektin e ri kushtetues. Lulzim Basha nuk dha detaje, pas takimit mbi një orë me Donald Lu, por bëri një përkufizim sesi opozita e do reformën, pa pohuar kur do të japë votat për të.

“Reforma në Drejtësi, që do të sjellë një drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron korrupsionin e krimin, dhe si e tillë ka qenë, është dhe do të jetë interes parësor i Partisë Demokratike, e për të cilën PD-ja do të vazhdojë të japë gjithçka”, tha Lulzim Basha.

Ish-kryeministri Berisha, i cili e takoi veçmas ambasadorin amerikan, la të kuptohet se drafti me ndryshimet kushtetuese nuk mund të kalojë në mënyrë të njëanshme.

Zoti Berisha i tha ambasadorit se, opozita është më e interesuara për Reformën në Drejtësi, por Kushtetuta nuk mund të amendohet pa opozitën dhe pa vullnet politik të sinqertë, siç është përpjekur të bëjë prej një viti kryeministri Rama.

Top Channel