PD: Beqaj fshihet pas “Fastech”, 320 milionë lekë me një dorë

03/05/2016 13:30

Partia Demokratike, përmes sekretares për marrëdhëniet me publikun Grida Duma, ka denoncuar këtë të martë një tjetër aferë që përfshin sipas saj ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

“Sot po ndalemi tek Intech Plus i Beqës. Sikur të mos mjaftonin miliona euro të konçesioneve në shëndetësi, që nuk janë bërë për qytetarët por për klientët, Ilir Beqaj vazhdon të marrë qindra milionë lekë me Intech-un e tij. Në fillim të këtij viti, kompania e themeluar nga Beqaj ka marrë 320 milionë lekë për një shërbim për Ministrinë e Jashtme. Pra, Beqaj, kampioni i korrupsionit në shëndetësi, ka shtrirë dorën dhe nga godina përballë e Ministrisë së Jashtme. Fastech, është thjesht një mbulesë për paratë që merr kompania e Beqajt”, ka thënë Duma.

Ajo ka sqaruar se, “autoritetet e kanë rregulluar që kompanitë të futen si bashkim operatorësh, ose që paratë t’i marrë Fastech e pastaj librat e shitjes të tregojnë se punët i bën Intech”.

“Pra, paratë në fund i merr Beqaj. Duhet të kujtojmë këtu se për vitin 2015, Intech-u i Beqajt mori 11 miliardë e 257 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve”, ka thënë Duma.

Sipas saj, “ky është korrupsioni tronditës që po mbush llogaritë e qeveritarëve dhe po zhyt popullin në skamje”. “Ky korrupsion po sjell varfëri e mjerim, papunësi, krizë të gjithanshme, teksa pasuria dhe luksi i kryeministrit e oligarkëve të tij rritet çdo ditë”, ka shtuar Duma.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel