Kushtetuesja, mazhoranca: Emërimet pas reformës. PD: Emërimet tani

03/05/2016 11:05

Pas publikimit të listës me 15 kandidatët që kishin dorëzuar dokumentacionin për dy vendet vakante në Gjykaten Kushtetuese, pas mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Vladimir Kristo dhe Sokol Berberi, Presidenti i Republikes Bujar Nishani ka pritur gjatë së martës, në takime të ndara, krerët e të gjithë grupeve parlamentare.

I pari që ka mbërritur në Presidencë ka qënë Gramoz Ruçi, kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Pas 15 minutash takim kokë më kokë me Nishanin, Ruçi ka lënë ambientet e Presidencës pa dhënë asnjë koment.

Por burime nga takimi bënë të ditur për Top Channel, se Gramoz Ruçi ka shprehur qëndrimin e mazhorancës, të reflektuar dhe me anë të një letre që është dërguar Presidentit nga ana e tij dhe kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, se duke qënë se vendi është pranë miratimit të Reformës në Drejtësi, duhet që dekretimi i dy gjyqtarëve të bëhet pas miratimit të saj. Por nuk ka qënë i këtij mendimi homologu i tij demokrat, Edi Paloka.

“U njohëm nga presidenti me kandidaturat. Nuk kemi asnjë preferencë, as kundërshti për emrat, pasi janë zbatuar kriteret. Duhet të zbatojmë ligjet që janë në fuqi, për sa kohë reforma në drejtësi nuk është miratuar”, është shprehur z. Paloka.

Tashmë mbetet për të parë sesi do të veprojë Presidenti Bujar Nishani: nëse do të testojë vendosmërinë e mazhorancës, apo të vazhdojë përplasjen me të, duke dekretuar dy gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese, që me gjasë do të rrëzohen në votimin në Parlament.

Top Channel