Basha: Gjendja është e rëndë, PD-ja është rrugëdalja

03/05/2016 16:55

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas takimit me ambasadorin amerikan Donald Lu, deklaroi për mediat se vendi është në një gjendje shumë të rëndë dhe PD-ja ka marrë “përsipër misionin e përballjes me keqqeverisjen dhe krimin e lidhur me qeverisjen”.

“Vrasjet mbeten të pazbardhura, shkaku i varfërisë është korrupsioni qeveritar, drejtësia nuk vendoset… në këtë gjendje të rëndë, përgjegjësia e PD-së është të formulojë rrugët e daljes”, tha Basha.

Në lidhje me reformën në drejtësi, kreu i opozitës theksoi se mazhoranca nuk e do atë, pasi, sipas tij, kërkon të mbajë avantazhet që ka sot.

“Kam kërkuar dhe kam marrë mbështetje të vazhdueshme për rrugëdaljet kryesore për reformën elektorale, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që dekriminalizmi që fillon prej ditës së nesërme të jetë një realitet ligjor që duhet të sjellë pasojat e para për personat e inkriminuar në Parlament, kryetar bashkish dhe nivele të tjera të pushtetit, dhe është padyshim dhe Reforma në Drejtësi,  e cila do të sjellë një drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron korrupsionin dhe krimin dhe si e tillë ka qenë, është dhe do të jetë interes parësor i Partisë Demokratike dhe për të cilën Partia Demokratike do të vazhdojë të japë gjithçka”, tha Basha.

Basha siguroi edhe një herë se PD është e vendosur për realizimin e reformës në drejtësi. “Por, ne do të vazhdojmë të përpiqemi e të luftojmë për reformën në drejtësi që ndëshkon dhe nuk mbron korrupsionin qeveritar dhe krimin. Dhe për këtë të mos ketë asnjë pikë dyshimi dhe besoj se me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve tanë do t’ia dalim”.

Top Channel