
Atletico Madrid është skuadra e parë finaliste e Ligës së Kampioneve. Skuadra e drejtuar nga Diego Pablo Simeone eliminoi Bajernin e Mynihut me gol në fushën kundërshtare. Në “Allianz Arena” bavarezët fituan 2-1, por humbja 1-0 në “Vicente Calderon” çon në Milano bardhekuqtë.
Ishte Xabi Alonso ai që kaloi në avantazh bavarezët në pjesën e parë, ndërsa disa minuta pas golit, Thomas Muller humbi një 11-metërsh. Kjo i dha krahë miqve, të cilët në fillimin e pjesës së dytë barazuan me anë të Griezmann.
Sulmet e njëpasnjëshme të Bajernit bënë që lojtarët e Guardiolës të shënonin sërish me Levandovskin, por kjo fitore nuk i mjafton për të kaluar në finale.
Ndeshja e kthimit e gjysmëfinalistes tjetër, Real Madrid-Manchester City do të luhet mbrëmjen e së mërkurës, ndeshja e parë mes dy ekipeve u mbyll në barazim pa gola.
Finalja e Champions këtë edicion do të zhvillohet më 28 Maj në “San Siro”.
Top Channel