Serbia është e tronditur nga vendimi që e bëri Kosovën anëtare të UEFA-s dhe do të kërkojë ta anulojë këtë përmes Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë të Zvicrës.

Ministri i Sportit, Vanja Udoviçiç ka thënë se, shteti do ta ndihmojë Federatën Serbe të Futbollit.

Shtypi serb shkruan se është turp, që Kosova është bërë anëtare e UEFA-s duke shkelur statutin e kësaj organizate.

Një pezmatim ka shkaktuar edhe fakti, që ish-futbollisti i famshëm i ish-Jugosllavisë, Dejan Saviçeviç ka votuar pro Kosovës, në emër të Malit të Zi.

Tomislav Karaxhiç, kryetar i Federatës Serbe të Futbollit, ka thënë se kjo do të shkaktojë shumë tension në të gjithë rajonin.

“Prej 4 vitesh kemi luftuar dhe refuzuar të gjitha tentativat e shtetit të vetëshpallur. Goditjen e parë e morën nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që ishte edhe argumenti kryesor i përdorur nga delegacioni nga Kosova. Ne nuk mund ta lejonim politizimin e futbollit”, ka thënë Karaxhiç, duke sqaruar se – sipas tij, – të gjitha këto kanë qenë presione politike.

Në kampionatin e saj të futbollit, Serbia ka edhe klube serbe nga Kosova, për të cilat Federata do të luftojë deri në fund, sipas presidentit të saj.

Ndërkohë ka reaguar edhe shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, duke thënë se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Top Channel