Basha: Do të nxisim dhe subvencionojmë bizneset që hapin vende pune për të rinjtë

01/05/2016 10:50

Në një bashkëbisedimin më të rinjtë e Vorës, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se prioritet është dhënia e mundësisë çdo të riu që të arsimohet. Tarifat do të ulen, theksoi kreu i demokratëve, përmes bashkëfinancimit direkt për çdo student nga buxheti. Masa e bashkëfinancimit do të përcaktohet nga dega dhe cilësia e universitetit. Kjo, theksoi Basha, do të nxisë konkurrencën mes universiteteve për cilësi, si dhe do orientojë të rinjtë të studiojnë në bazë të nevojave të tregut.

“Tarifat do të ulen, arsimi i lartë do të garantohet për të gjithë ata që e dëshirojnë dhe ne do të bashkëfinancojmë në mënyrë të ndershme dhe konkurruese të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publike dhe jopublike, me qëllim që djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të kenë mundësi të realizojnë ëndrrën e tyre pa u bërë barrë shtesë për prindërit dhe xhepat e tyre të varfëruar e të goditur nga taksat e larta dhe nga paudhësitë e qeverisjes Rama-Meta”, u shpreh kreu i demokratëve.
 
Sipas tij, Partia Demokratike ka planifikuar mbështetje të veçantë nga buxheti për kompanitë të cilat punësojnë të rinj: “Ne do të ftojmë kompanitë më të mëdha të botës, do të financojmë ekspertët e tyre më të mirë për të orientuar degët e veçanta të teknologjisë së informacionit, degë të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove më të aftë, në mënyrë që ata të shërbejnë në parqe teknologjike që do të hapin këtu në Shqipëri. Natyrisht, jo në kushtet e Shqipërisë së Shullazit, jo në kushtet e Shqipërisë së Arben Ahmetajt e të Edi Ramës e Ilir Metës, por në kushtet e një Shqipërie që ofron regjimin më të favorshëm fiskal, sigurinë për të investuar, në kushtet e një qeverisjeje që subvencionon për çdo vend pune të ri që hapet për të rinjtë dhe të rejat shqiptare”.

Top Channel