PD, akuza Ramës për shëndetësinë dhe OSHEE-në: Ndan miliona me miqtë e tij

30/04/2016 00:00

Deputetja e PD, Albana Vokshi në një deklaratë për mediat ka akuzuar kryeministrin Rama dhe ministrin Beqaj se e kanë kthyer sektorin e shëndetësisë në armiqësi të plotë me qytetarët e vendit.

“Si arriti Edi Rama ta bëjë këtë? Edi Rama kësaj ia arriti me korrupsionin skandaloz të konçesioneve dhe tenderave që i morën miqtë e tij. Me krizën e madhe të mungesës së medikamenteve e pajisjeve bazë, me largimet masive, arbitrare dhe të paligjshme nga puna”, ka deklaruar Vokshi.

Ajo ka theksuar se, “spastrimet me motiv politik në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit koordinohen nga Ilir Beqaj”, i mirënjohur, sipas saj, “si kampioni i korrupsionit në qeverinë Rama”.

“Vala e re e shkarkimeve në disa raste vjen për herë të dytë, siç po ndodh në spitalin e Fierit. Një jetë në shërbim, statusi social, eksperienca dhe performanca nuk kanë asnjë vlerë. Njerëzit hidhen në rrugë, hapen vende për militantët e partisë”, ka thënë Vokshi.

Sipas saj, “historia shokuese në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku infermierë dhe sanitarë pushoheshin me letër me vrimë, po përsëritet në të gjithë vendin edhe pas denoncimeve në media”.

“Ndërkohë që hidhen në rrugë nëna dhe kyefamiljare që mbajnë fëmijët me pagën e tyre, Beqaj mban militantët e punësuar rishtazi, pa arsim përkatës, pa eksperiencë e që paguhen edhe me të ardhurat dytësore të spitaleve”, ka vijuar Vokshi.

Më tej deputetja e PD ka përmendur disa të dhëna statistikore, sipas të cilave: Në Kukës janë pushuar 32 punonjëse dhe janë punësuar 20 militante, në Shkodër 89 sanitare dhe personeli mbështetës në spitale me status kritik social, në Fier 20 punonjës, në Kukës 32, në Tropojë 30, në Vlorë 20, në Elbasan 80.

“Partia Demokratike i bën thirrje KLSH-së, prokurorisë, Avokatit të Popullit, institucioneve ndërkombëtare të hetojnë largimet dhe punësimet e paligjshme në spitalet rajonale dhe ato bashkiake”, ka shtuar Vokshi.

PD: Rama ndan thesarin e OSHEE-së me miqtë e tij

Në vijim të denoncimeve, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa ka akuzuar kryeministrin Rama se vazhdon të ndajë me klientelën e tij, me tendera fiktivë, kapitalet financiare në dispozicion të OSHEE-së.

“OSHEE, thesari i madh i parave që Edi Rama ndan me miqtë e tij, nuk ndalet në tenderimin pa shpallje, me negocim, me një operator të vetëm në garë, duke dhënë në çdo rast pothuasje fondin limit. Dje ne denoncuam skandalin e vendosjes së 50 mijë matësve me 7 miliardë lekë, ndërkohë që kostoja sipas tregut është vetëm 1 miliardë. OSHEE nuk u përgjigj se ku kanë shkuar 6 miliardë, por zgjodhi të sulmojë opozitën”, ka thënë Zhupa.

Zëdhënësja ka paraqitur disa raste të tjera, të cilat, sipas saj, “tregojnë se çfarë bën kjo bandë e Edi Ramës me paratë që u merren shqiptarëve me dhunë, me burg, me mbifaturim, e me ndëshkim me errësirë”.

“60 mijë euro OSHEE ia ka dhënë një konçesionari makinash, “Tirana Auto”, për këtë vit. I duhen bandës makina luksi për të marrë dhe qindarkën e fundit të shqiptarëve. Ndërkohë që po tek ky operator kanë marrë dhe vitin që shkoi makina me qira, 68 milionë lekë. Ndërkohë vazhdon trajnimi i punonjësve, ku 670 milionë lekë i jepen të vetmit operator në garë, për 6 muaj punë. Mbi 100 milionë lekë në muaj, për trainim, për letra”, ka deklaruar Zhupa, e cila ka treguar edhe dokumentin.

Ajo ka shtuar se, “OSHEE harxhon 66 milionë lekë në vit për ahengje, lekë që përfundojnë tek “Prosaundi” i fushatës së Partisë Socialiste dhe festave të Veliajt”.

“Këto pra janë disa nga bëmat e OSHEE-së, e bandës hajdute që Edi Rama ka vërsulur kundër popullit, për të marrë miliardat që i duhen oligarkisë. Shpejt do vijë koha që populli t’u kthejë reston dhe banda e OSHEE me kryehajdutin e saj në krye të japin llogari para ligjit”, ka shtuar Zhupa.

PD: Standard kriminal në bregdetin e jugut. Zbatohen interesat e Koços, jo ligji

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike Jamarbër Malltezi, denoncoi nga Porto Palermo abuzimet që po bëhen me ndërtimet pa leje në bregdetin e Jugut, të cilat sipas tij kanë hyrë deri në det.

“Kjo është një zonë bregdetare, një zonë e ndjeshme mjedisore dhe ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Për fat të keq, ne mund të shikojmë një lokal që po bie brenda në det. Jo vetëm që nuk po mban distanca, por po bie i gjithi në det, pasi është ndërtuar nga Koçot e pushtetit. Kjo është dyfytyrësi, ky është standard i dyfishtë në zbatimin e ligjit. Ligji normalisht duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe nuk mund të jenë disa ta favorizuar e disa të nëpërkëmbur”, deklaroi Malltezi.

Ndërsa në Qeparo, Malltezi denoncoi një tjetër ndërtim të deputetit të PS-së Koço Kokëdhima, i cili, siç tha ai, është jashtë çdo kriteri ligjor dhe urbanistik.

“Jemi sot në Qeparo, ku dyfytyrësia e qeverisjes është akoma më evidente. Për fat të keq, qytetarëve edhe në majë të malit edhe në mes të Tiranës u prishen shtëpitë e tyre, qoftë edhe të trashëguara, ndërkohë që lejohen ndërtime të paligjshme siç është rasti konkret i denoncuar me dhjetëra dhe qindra herë ndaj deputetit Koço Kokëdhima. Këtu shkelen disa ligje njëherësh. Ne kemi bërë denoncimin në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi kemi 10 ligje dhe 2 plane urbane të cilat dhunohen nga deputeti Kokëdhima. Për fat të keq kemi 1 miliard e 850 milionë lek nga taksat tona që shfrytëzohen për t’i bërë një lungomare vetëm Koço Kokëdhimës dhe askujt tjetër”, tha Malltezi.

Top Channel