Stadiumi, Bozdo: Manovrat e Ramës nuk e fshehin dot korrupsionin

29/04/2016 00:00

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo i ka cilësuar një farsë që s’mund të fshehin korrupsionin deklaratat e sotme të kryeministrit Rama, se arkitektët i kishin sugjeruar që stadiumi i ri të përfshihej në unazën e vogël të kryeqytetit.

“Edi Rama pati guximin të deklarojë sot se të gjithë arkitektët që ai kishte pyetur, i kishin sugjeruar që stadiumi i ri të ishte domosdoshmërisht brenda unazës së vogël të Tiranës! Por nevoja për një stadium të ri nuk mund të fshehë aferën korruptive! Afera korruptive nuk mund të justifikohet nga gjoja sugjerimet e arkitektëve për pallat me stadium në mes të Tiranës. Pallavrave të zakonshme të Rames se “…më thanë arkitekëet, etj, etj..”, u ka dalë boja me kohë me betonizimin e kryeqytetit dhe korrupsionin e kudondodhur”, ka thënë Bozdo.

Sipas tij, “Rama është mbërthyer nga një dëshirë e ethshme për të ndërtuar së bashku me miqtë e tij vetëm në qendër të Tiranës dhe për këtë anulloi dhe planin rregullues të kryeqytetit”.

“Plani rregullues i Tiranës, i vetmi ekzistues që prej 1990, që u shtri në dy vite dhe që u konsultua gjerësisht me qytetarët, parashikon një stadium olimpik në zgjatim të Bulevardit të ri. Por Rama, që ia do Bashës bulevardin (edhe pse e bllokoi për dy vjet), nuk ia do stadiumin aty”, thotë Bozdo.

Ai shprehet se, stadiumin, Rama dhe miqte e tij arkitektë do ta ndërtojnë mu në qendër të Tiranës. “Pa çka se kryeqyteti po betonizohet në çdo cep, pa çka se trafiku rëndohet, pa çka se qytetarët po e vuajnë çdo ditë”, vijon Bozdo.

“Rëndësi ka xhepi o miq. Dhe për sa kohë xhepi është plot, edhe humori është i lartë. Të zakonshmit e këtij vendi, ata që nuk bëjnë dot pazar në Milano dhe me Milanon, pak rëndësi kanë!”, shton ai.

Top Channel