PD, program për të varfërit; Basha: Ulim taksat dhe çmimin e energjisë

29/04/2016 00:00

Në vijim të prezantimit të programit të saj qeverisës, Partia Demokratike ka pohuar se do t’i kushtojë vëmendjen shtresës më të varfër.

Masa e parë, siç tha kryetari i demokratëve Lulzim Basha, do të jetë rritja e pagës minimale, por edhe shikimi i mundësisë së uljes së çmimit të energjisë për këtë kategori të shoqërisë.

“E para është që t’ju rrisim rrogën, apo jo?! Më pas, çmime më të ulëta, për shembull për energjinë elektrike”, u shpreh Basha gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Vlorës.

Për të ndihmuar familjet në nevojë dhe ato me paga të ulëta, programi i Partisë Demokratike parashikon rritje të pagës minimale, ulje të çmimit të energjisë dhe merr përsipër që për familjet në nevojë ekonomike shteti të paguajë çdo muaj faturën e ujit dhe të energjisë elektrike deri në 200 kilovatw.

“56 për qind e shqiptarëve harxhojnë më pak se 300 kw. Po për këta 56 për qind, që është pjesa më e varfër e shqiptarëve, çmimi është rritur. Do të ulim çmimin e energjisë për 300 kw e parë”, tha Basha.

Nga çmimi më i ulët i energjisë, sipas programit të opozitës, përfiton edhe biznesi. “Po kështu, fatura e energjisë për biznesin do të duhet të ulet sepse është rritur nga 9 lekë/kw orë, në 14 lekë/kw orë”, nënvizoi Basha.

Paltforma e opozitës për rritjen ekonomike, për hapjen e vendeve të reja të punës dhe për rritjen e pagave është taksa e sheshtë 9 për qind.

Top Channel