Padia për Berishën, Basha: Hakmarrje për denoncimet e tij

29/04/2016 00:00

Padinë e dorëzuar nga Partia Socialiste në Prokurorinë e Përgjithshme kundër Sali Berishës për deklaratën e bërë në seancë plenare për armatosje kundër Qeverisë, Lulzim Basha e interpreton si hakmarrje të maxhorancës ndaj denoncimeve të ish-kryeministrit.

“E nisi me Shullazin. U hakmorr ndaj Sali Berishës. Sali Berisha denoncoi krimet e tij, ndërhyrjen për të kapur Rektoratin, ndaj banda thirri Byronë dhe Byroja veproi sipas paktit. Adjutanti ishte ai, vegla e Ramës për punët e pista. Taulanti. Po sot, i njëjti adjutant-taulant u shfaq sërish, duke shërbyer një bandë tjetër të Edi Ramës, duke paralajmëruar një hakmarrje tjetër të krimit ndaj Sali Berishës. Se ju prishi planet për ta mbajtur të fshehtë ndalimin në Holandë të Arben Frrokut i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj”, shkruan në rrjetet sociale, Lulzim Basha.

Sipas kreut të demokratëve, ku është një aksion i përbashkët Shullazi-Rama dhe Frroku-Rama.

“A di ta dallojë ndokush ku mbaron banda e ku nis Kryeministri? Asnjë fije e hollë nuk i ndan. Këto janë klithmat e fundit të krimit në pushtet, sepse ora po afron. Sunduan tre vite, po koha mbaroi. Shqipëria dhe shqiptarët po ngrihen mbi krimin dhe lidhjet e tij me pushtetin”, përfundon reagimin e tij Lulzim Basha.

Top Channel