
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, në një ndërhyrje telefonike për Top Story me Sokol Ballën, deklaroi këtë të enjte se letra e Gardës lidhur me procesin civil të 21 Janarit ishte një detyrim ligjori i institucionit.
“Ka të bëjë me një sqarim procedurial, por i detyrueshëm nga pikëpamja institucionale. Garda ka cituar vendimin penal të marrë nga një gjykata penalë përpara 2013 dhe kjo është e detyrueshme nga pikëpamja ligjore”, sqaroi Tahiri.
Ai, pasi kërkoi ndjesë për familjarët e viktimave, tha se qëndrimi i maxhorancës, si për 21 Janarin, ashtu edhe për Gërdecin nuk ka ndryshuar.
“Ne për 21 Janarin dhe Gërdecin mbajmë të njëjtin qëndrim që kemi mbajtur pavarësisht se dje ishim në opozitë dhe sot në maxhorancë. Për ne duhet të mbajnë përgjegjësi njerëzit që kanë qenë në detyrë”, u shpreh ai.
Sipas Tahirit, tashmë ka vetëm një institucion që mund të rihapë për gjykim dosjen e 21 Janarit.
“Qeveria ka bërë gjithçka është e mundur për të çuar procesin përpara duke paditur ish-komandantin e Gardës, ish-ministrin e Brendshëm, padi që sot ose janë mbyllur ose nuk dihet fati i tyre. Sot qeveria dhe maxhoranca nuk ka asnjë mënyrë që të çojë para drejtësisë, marr si shembull këtu Fatmir Mediun, që nuk shkoi vetëm se u rizgjodh deputet. I vetmi autoritet që mund ta bëjë këtë është prokurori. Ne nuk kemi asnjë mundësi”, tha Tahiri.
Mundësia e vetme, shton ministri i Brendshëm për të patur drejtësi jo vetëm në këto dy çështje, është reforma në drejtësi.
“Për faktin që këto gjyqe shkojnë ose mbyllen ose harrohen në gjykatë, kjo maxhorancë ka ndërmarrë reformën në drejtësi. Ky është angazhimi ynë ky; pastrimi i drejtësisë nga kriminelët për të bërë drejtësi”, shtoi ai.
Top Channel