Privatizimi i OSSH-së, Berisha do të merret edhe forcërisht për të dëshmuar?

28/04/2016 00:00

Komisioni për hetimin e privatizimit të OSSH-së u mblodh për herë të dytë pa praninë e opozitës këtë të enjte.

Në programin hetimor të këtij komisioni është parashikuar thërritja për të dëshmuar e të gjithë aktorëve të privatizimit të qeverisë së shkuar, mes të cilëve edhe Sali Berisha.

Por në mungesë të përfaqësuesve të opozitës, deputeti socialist, Pjerin Ndreu kërkoi që të mos paragjykohej puna e komisionit dhe shprehu dyshimet për paraqitjen e Sali Berishës si dëshmitar në këtë Komision.

“Unë nuk besoj që dëshmitari Sali Berisha do të vijë të dëshmojë, por do të bëjë si gjithmonë duke shmangur hetimet”, tha ai.

Dyshimeve të kolegut të tij, kryetari i komisionit Taulant Balla iu përgjigj duke përmendur rregulloren, që parashikon edhe marrjen forcërisht të dëshmitarëve për të dëshmuar.

“Komisioni punon sipas Kushtetutës dhe thirrja e dëshmitarëve bëhet me një vendim të ndërmjetëm. Pra, nëse ne do të vendosim me vendim të ndërmjetëm që të thërrasim dëshmitarët forcërisht atëherë do të zbatohet ligji dhe vendimi”, tha Balla.

Top Channel