PR, Mediu: Qeveria po u grabit tokat pronarëve në Himarë

28/04/2016 13:35

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka akuzuar Bashkinë e Himarës se, nën urdhërin politik të Kryeministrisë kërkon të fillojë shpronësimin dhe shtetëzimin, duke iu marrë tokën e trashëguar 123 familjeve të fshatit Dhërmi, me pretendimin se ata nuk kanë qenë banues të zonës në vitin 1991, kur u imponua ligji komunist 7501.

“Mafia e tokave në bregdet po iu merr pronat familjeve autoktone, pronarëve të ligjshëm dhe do t’ua japë klientëve të pushtetit, deputetëve, siç ndodhi me heqjen e 18,000 ha tokë nga fondi i kompensimit, me vendim qeverie në vitin 2013”, ka deklaruar Mediu.

Kreu i PR deklaron se, në vitin 1991, edhe pse u kërkua të imponohej ligji 7501 në mbi 60% të territorit të Shqipërisë, duke respektuar të drejtën e pronësisë dhe shenjtërinë e saj, toka u nda fshatçe duke respektuar pronësinë e vjetër, si ndërmjet familjeve dhe trashgimtarëve brenda së njëjtës familje.

“Këto zona asnjëherë në këto 25 vite nuk kanë pasur konflikte për të drejtën pronësore, sepse e kanë zgjidhur atë jo sipas ligjit komunist 7501, por sipas së drejtës së pronësisë”, ka thënë Mediu.

Në përforcim të qëndrimit të tij, eksponenti i opozitës shtron më tej pyetjen, pse shteti kërkon të ndërhyjë në jug, në zonën e bregdetit, dhe nuk ndërhyn në pjesën tjetër të Shqipërisë, në veri apo veri-lindje?

Sipas tij, ka vetëm një arsye, “interesi i madh për të uzurpuar bregdetin dhe përfituar pronat e pronarëve, në mënyrë të padrejtë dhe korruptive”.

Në deklaratën e tij, Mediu përmend edhe faktin që dje, “përfaqësues të Parlamentit, zoti Dule konkretisht, kanë denoncuar publikisht një fakt tjetër, dhunën dhe veprimet e paligjshme në Bashkinë e Himarës, të urdhëruara nga Rama dhe Kokëdhima”.

Top Channel