PD mbledh kryesinë, Basha: Nis procesi i riorganizimit të degëve

28/04/2016 11:35

Më shumë se gjysma e strukturave të Partisë Demokratike do të kalojë në një proces riorganizimi dhe pothuajse një vit përpara zgjedhjeve parlamentare, opozita do të ketë drejtues të rinj në më shumë se gjysmën e partisë.

Disa degë krijohen të reja, ndërsa në disa të tjera zgjedhjet do të mbahen për shkak të rezultateve të dobëta në zgjedhjet lokale.

“Kemi 67 degë në territor, nga të cilat 35 degë për shkak të ndarjes do t’i nënshtrohen një procesi zgjedhor, por procesi zgjedhor apo shëndoshja, fuqizimi i strukturave të seksioneve, parashikon gjithmonë aktivitet zgjedhor. Kjo është parti që respekton votën për çdo vendim”, u shpreh Basha.

Por jo për çdo vendim zbatohet statuti. Këshilli kombëtar që duhet të zgjidhte disa sekretarë dhe drejtues departamentesh të komanduar, është zëvendësuar me kryesinë.
 
“Konfirmimin nga kryesia të disa drejtuesve të disa departamenteve dhe sekretarëve të rinj”, vijoi kreu i PD-së.

Njëri prej tyre është sekretari për aksionin qytetar, Ervin Salianji, i cili, megjithëse po kryen funksion i pavotuar nga Këshilli kombëtar, ka shprehur në kryesi pakënaqësi përse kryetari Basha ka vendosur në krye të grupeve për riorganizimin, ata që i ka quajtur të vjetrit dhe fytyrat e humbjes.

Lulzim Basha u distancua menjëherë nga ky qëndrim dhe me tonë të lartë, të pazakontë për të, i tha Salinajit të kërkojë ndjesë për fyerjen e kolegëve. Një distancim që Basha e tregoi edhe jashtë mbledhjes, kur shpjegoi kriteret për përzgjedhjen e kryetarëve të grupeve të punës.
 
“Janë patur parasysh përvoja dhe mungesa e konfliktit të interesit, pra shërbejnë në zona ku nuk kanë shërbyer apo kanë shërbyer para shumë vjetësh”, deklaroi Basha.

Procesi i riorganizimit të demokratëve pritet të përfundojë për rreth dy muaj.

Top Channel