Miratohet pr.ligji për vullnetarizmin në Shqipëri

28/04/2016 12:25

Në seancën e sotme kuvendore mungon opozita, pasi ka deklaruar se do të bojkotojë Parlamentin për 10 ditë.

Kuvendi ka miratuar projektligjin për vullnetarizmin në Shqipëri, nismë kjo e dy deputeteve të LSI-së, Kejdi Mehmetaj dhe Silva Caka.

Në fjalën e saj, deputetja Mehmetaj deklaroi se nisma ka për qëllim rregullimin ligjor të vullnetarizmit me qëllim rritjen e pjesëmarrjes së individëve në jetën sociale dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunitetet si dhe zhvillimin e vlerave të solidaritet njerëzor.

Ajo tha se janë ndjekur modele të ngjashme ne rajon duke zbatuar edhe udhëzimet e Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara të cilat i kanë cilësuar si shumë të rëndësishme politikat mbi vullnetarizmin.

“Kemi një shtim të ndërgjegjësimit të komunitetit, por me shumë pak orientim, me shumë pak lidhje, me shumë pak komunikim dhe me shumë pak informacione se si duhet kryer ky proces. Vlen për t’u theksuar fakti se ka një mungesë të të dhënave statistikore zyrtare. Megjithatë, nga studime të organizatave serioze rezulton se së paku një në pesë të rinj në Shqipëri angazhohet në punë vullnetare. Gjithashtu organizatat që funksionojnë në bazë të vullnetarizmit thonë se punojnë me një numër të konsiderueshëm vullnetarësh nga të gjitha bashkitë e vendit dhe se puna e tyre dhe pse e papaguar është e çmuar për komunitetin. E me gjithë dëshirën për të kontribuar për shkak të mungesës së një rregullatori, institucionet tona i kanë dyert e tyre të mbyllura për vullnetarët. Ata që janë të organizuar si vullnetarë, nuk vlerësohen dhe eksperienca e tyre nuk quhet, puna e tyre nuk është e mbrojtur dhe as e kontrolluar”, tha Kejdi Mehmetaj.

Për deputeten e LSI-së, miratimi i këtij projektligji do t’i japë të gjitha palëve të interesuara në vullnetarizëm, sigurinë e nevojshme për kryerjen e vullnetarizmit, por njëkohësisht edhe mundësinë e promovimit të punës vullnetare.

Miratohet falja e detyrimeve për mbi 5 mijë ushtarakë

Parlamenti ka miratuar vetëm me votat e maxhorancës edhe projektligjin për faljen e detyrimeve për mbi 5 mijë ushtarakë.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ministri Blendi Klosi tha se i jepet zgjidhje problematikës shumëvjeçare me këtë kategori.

“I jep zgjidhje problematikës shumëvjeçare, si pasojë e një kuadri ligjor jokonsistent, i kundërshtuar që prej fillimit të tij nga ish ushtarakët dhe i rrëzuar disa herë nga Gjykata Kushtetuese.  Do t’i rikthehen për një periudhë 1-vjeçare të gjithë paratë e paguara nga ish ushtarakët, si pasojë e ngatërresave ligjore dhe mosveprimit keqdashës, të qëllimshëm, të administratës së vjetër të qeverisjes së vjetër”, tha ministri Klosi.

Ligji i 2010 i detyronte disa ish-ushtarakë të rikthenin në arkat e shtetit një pjesë të pensionit suplementar të përfituar pasi formula e re ndryshonte llogaritjen.

Parlament, Ahmetaj: Programi i PD na kthen në greminën e 2012

Rendi i ditës ka nisur me fjalën e ministrit të Financave Arben Ahmetaj. Ai ka kritikuar programin e paraqitur nga Partia Demokratike për ekonominë. Ky program tha Ahmetaj “na kthen sërish te gremina e vitit 2012-2013”.

“Të gjitha shkurtimet që pretendon të bëjë e çon borxhin publik brenda një viti në 80% të PBB. Administratori i opozitës na kthen sërish te gremina e vitit 2012-2013”, tha Ahmetaj.

Referuar edhe rikthimit të taksës së sheshtë, z. Ahmetaj tha se “me një të rënë të lapsit” i hiqen shqiptarëve 100 milionë dollarë. “Do të na kthejë në vitin 2012-2013 te famëkeqja taksë e sheshtë që vetëm klasës së mesme dhe shtesave në nevojë i grabit 100 milionë dollarë”, tha ai.

Top Channel