
Luli Makashi dhe Adeila Makashi, të cilat akuzohen se nëpërmjet shoqërisë ANDE-LM kanë mashtruar dhjetëra qytetarë për viza studimi dhe punësimi në Kanada, u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës në aeroportin e Rinasit.
Nënë e bijë u vunë në pranga sapo zbritën nga avioni më të cilin ishin kthyer në vend nga autoritetet kanadeze, të cilat mësohet se u kanë anuluar vizën 10-vjeçare pas shkëmbimit të informacioneve me policinë shqiptare, e cila i kishte shpallur në kërkim 48 orë më parë.
Luli Makashi dhe vajza e saj Adeila ishin kallëzuar në policinë e Tiranës nga të paktën 26 qytetarë të cilët kanë dëshmuar se kanë paguar shuma të konsiderueshme parash, deri në 20 mijë euro, në këmbin të sigurimit të vizave jo vetëm në Kanada por edhe shtete të tjera si Angli e Australi.
Dy ditë më parë polia arrsetoi edhe 25-vjecarin Klevis Rreshka, i cili rezulton të ketë marrë në administrim shoqërinë ANDE-LM pas largimit nga vendi të Luli dhe Adeila Makashit. Policia ka dyshime se pre e kësaj skeme mashtrimi kanë rënë edhe qytetarë të tjerë, të cilët ende nuk kanë berë kallëzim.
Zyrat e shoqërisë në zonën e ish-bllokut, pagesat që kryenin në banka dhe takimet me persona që prezantoheshin si avokatë kanadezë kishin bërë që qytetarët të besonin se vërtetë mund të merrnin viza.
Po ashtu, nga kontrolli i ushtruar në zyrat ANDE-LM janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e madhe me dokumentacion aplikimesh dhe refuzimesh të përpiluara nga kjo zyrë si dhe kompjuterat që kanë shërbyer për mbajtjen e të dhënave.
Top Channel