
Luhen sot në mbrëmje ndeshjet e para gjysmëfinale të Europa League. Skuadra kampione në fuqi e këtij turneu, Sevilla do të luajë ndaj Shakthar Donetsk në Kiev, me synimin për të marrë një rezultat që ta favorizojë sa më shumë në ndeshjen e kthimit. Skuadra andaluziane do të kërkojë titullin e tretë radhazi në Europa League, për t’u bërë e para skuadër që e arrin një gjë të tillë dhe për të siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm.
Për Shakhtar Donetsk dhe trajnerin Lucesku kjo ndeshje do të jetë edhe një mundësi e mirë për t’u hakmarrë ndaj spanjollëve pas eliminimit dramatik që pësuan ndaj tyre në raundin e 1/16 të finaleve të këtij evenimenti në sezonin 2006/2007. Për t’u theksuar është se Shakhtar e ka fituar një herë këtë trofe, pikërisht në vitin 2009.
Ndërsa në “El Madrigal”, Vijarreali do të presë Liverpulin e Jurgen Kloppit, me të dyja skuadrat që përballen për herë të parë me njëra-tjetrën. Liverpuli pavarësisht vështirësive që po has në Premier Legue këtë sezon, shihet më e favorizuar në këtë sfidë me “Nëndetësen e Verdhë”. Skuadra angleze do të synojë fitoren për të arritur në finalen e 12 evropiane në histori, ndërkohë që Villarreal asnjëherë nuk ka mundur të kualifikohet në fazën më kulmore të një turneu të Kontinentit të Vjetër.
Një tjetër statistikë që i jep shpresë Liverpulit për kalimin në finale është se Vijarreali ka një rekord shumë negativ në ndeshjet me skuadrat angleze, pasi në 10 përballjet e fundit me to nuk ka mundur të fitojë asnjëherë. Por fakti më interesant për Vijarrealin në prag të kësaj përballjeje është se skuadra spanjolle e ka marrë pseudonimin “Nëndetësja e Verdhë” e frymëzuar nga kënga e grupit legjendar të Liverpulit, Beatles (Yellow Submarine).
Top Channel