Tusk pret Nishanin: Me rëndësi reforma në drejtësi

27/04/2016 00:00

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, gjatë vizitës zyrtare në institucionet e BE-së dhe NATO-s, zhvilloi nje takim me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Tusk vuri dhe njëherë theksin tek rëndësia e reformës në drejtësi.

“Shqipëria ka bërë progres shumë të rëndësishëm gjatë viteve të fundit në përpjekjen e saj për integrimin europian. Me mbështetjen e duhur për reformat e nënvizuara, unë jam i bindur që Shqipëria do të mund t’i adoptojë ato reforma të cilat ne presim. Në këtë moment të rëndësishëm, kur Shqipëria është duke ndërmarrë reforma ambicioze mbi sistemin juridik, unë ritheksoj atë që i thashë dhe nëntorin e kaluar kryeministrit Rama, që bashkëpunimi mes partive dhe dialogu është i domosdoshëm për të vijuar në ambicen europiane të vendit. Ndërtimi i një baze solide të dhenash për hetime dhe dënime për krimin e organizuar dhe korrupsionin është një tjetër sfidë shumë e rëndësishme”, tha Tusk.

Ndërkohë, edhe presidenti Nishani në fjalën e tij u ndal tek rëndësia e reformës në drejtësi.

“E informova Presidentin Tusk mbi ecurinë e procesit të reformave dhe vëmendjen time personale dhe institucionale, veçanërisht ndaj reformës në drejtësi dhe domosdoshmërisë së ruajtjes së vëmendjes edhe ndaj standardeve të të drejtave të njeriut dhe çështjes së respektimit të pronës. Shpreha besimin se me finalizimin e reformës në drejtësi, Bashkimi Europian do të mbështesë e negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë”, tha Nishani.

Jashtë temës së diskutimeve nuk mbeti as çështje e refugjatëve, për të cilën Presidenti Donald Tusk theksoi se Be do monitorojë nga afër situatëm në Shqipëri, edhe pse vendi jonë nuk është prekur nga kriza.

Top Channel