Thiago Silva, te Barcelona për të fituar Champions League

27/04/2016 00:00

E përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo” ka lëshuar “bombën” e radhës sa i përket merkatos së kësaj vere. Mbrojtësi e njëkohësisht kapiteni i Paris SG, Thiago Silva, pritet t’i thotë “po” ofertës së Barcelonës për vitin e ardhshëm.

Ish-lojtari i Milanit është kontaktuar prej 2012-s nga katalanasit, por përpara asaj oferte preferoi të zgjidhte paratë e presidentit sheik të francezëve, Al-Khelaifi. Tashmë 31-vjeçar, braziliani Silva duket i tejngopur me fitimin e titujve kombëtarë, teksa i ka mbetur peng mosfitimi i një trofeu të Champions League. E pikërisht këtë kërkon të arrijë me fanelën “blaugrana”, në krah të Pique.

Qendërmbrojtësi i “Seleçao”-s duket se është lodhur gjithashtu nga një garë pa rivalitet në “Ligue 1” të Francës, ndaj dhe pritet të synojë të luajë në radhët e një prej klubeve më të rëndësishme të botës, përpara se ta mbyllë karrierën në vendlindjen e tij, Brazil, por jo përpara se të sigurojë edhe trofeun më të lakmuar në rang klubesh në botë.

Ndoshta edhe mund t’i realizohet kjo dëshirë, duke parë se Barcelona është në kërkim të një qendërmbrojtësi për të përforcuar prapavijën, siç u konfirmua përpara një jave edhe nga trajneri Luis Enrique.

Top Channel