PD, Boçi: Rama tregon përralla për arsimin

27/04/2016 00:00

Kreu i departamentit të arsimit në PD, Luçiano Boçi ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Rama lidhur me modernizimin e këtij sektori.

“Përralla nga “moderniteti! I tillë ishte “recitimi” që Rama bëri sot me rastin e 90-vjetorit të gjimnazit “Qemal Stafa”! Hapi thesin si gjithmonë. Foli për “modernizim” të sistemit, për “reforma” e arritje, për tekste “të jashtme” e kurrikul “me salltanete” perëndimore. “Harroi”, ose më saktë bëri sikur harroi që dje për shkak të këtij modernizimi “të jashtëzakonshëm” të qeverisë së tij, 10 nxënës e mësues të Pukës rrezikuan jetën në një aksident dramatik, siç rrezikojnë një pjesë e madhe çdo ditë”, ka thënë Boçi.

Sipas tij, kryeministri foli për mësues të shquar, por harroi përçmimin e plotë të sotëm ndaj figurës së mësuesit.

“Nuk tha asnjë fjalë për trajtimin poshtërues politik që i bëhet atij. Nuk përmendi as mungesën absurde të vlerësimit material e moral të mësuesit. Shmangu të thotë që në këto vite “të modernitetit”, qeveria e tij ka bërë investime qesharake në shkolla. E që në Shqipëri klasat kolektive shtohen si “këpurdhat pas shiut”, sepse askush nuk e ka mendjen tek cilësia dhe kujdesi për fëmijët tanë. Që dhuna në shkolla është fenomen endemik dhe ai “modernisht” si kryeministër rri e vështron! Ose reciton ndonjë poezi”, ka thënë Boçi.

Top Channel