Mosmarrëveshjet e Ballkanit, Bushati në Vjenë: Problemet e vjetra, të tashmes dhe të së ardhmes

27/04/2016 00:00

Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në kuadër të vizitave në Austri, është takuar me homologun e tij austriak Sebastian Kurtz.

Gjatë bisedës me tyre është vënë theksi tek thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve dhe tek mbështetja e Austrisë për integrimin e Shqipërisë në BE. Ministri Bushati theksoi se është duke u zbatuar një plan i përbashkët që do ndihmojë Shqipërinë në hapjen e negociatave për anëtarësim. Një plan që sipas kreut të dipliomacisë shqiptare, prek fusha konkrete si ekonomia, adminsitrata publike e shoqëria civile.

Ndërsa nga ana e tij ministri Kurtz vuri në dukje rëndësinë që Austria i kushton Ballkanit Perëndimor.

Më pas, ministrat Bushati dhe Kurtz morën pjesë në konferencën mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në fjalën e tij, ministri Bushati i klasifikoi në tre kategori mosmarrëveshjet në Ballkanin Perëndimor.

“Në kategorinë e parë janë ato mosmarrëveshje dypalëshe të trashëguara nga një e kaluar e largët. Në kategorinë e dytë janë çështjet e shtetndërtimit që u shfaqën pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Në kategorine e tretë janë mosmarrëveshjet dypalëshe që mbartin një rëndësi praktike për të ardhmen, por që jo domosdoshmërisht shkaktojnë pengesa për zgjerimin e BE-së. Dua gjithashtu të shtoj se mekanizmat aktualë të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve duhet të integrojnë në qasjen e tyre dimensionin e zhvillimit ekonomik. Ekziston nevoja për të kanalizuar më tej ndihmën e BE-së ndaj politikave të rritjes, ndërlidhjes dhe zvogëlimit të pabarazive ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”, tha Bushati.

Top Channel