Kriza e mineraleve, Gjiknuri: Masa lehtësuese për ta shpëtuar

27/04/2016 00:00

Përfaqësues të kompanive më të mëdha të kromit në botë u mblodhën në Tiranë për të diskutuar mbi sfidat e industrisë tashmë të zhytur në agoni si pasojë e rënies drastike të çmimeve të mineraleve në bursat ndërkombëtare.

Vetëm në 18 muajt e fundit çmimi i mineraleve ka pësuar rënie nga 30-40 përqind tek kromi e bakri deri në 77 përqind tek nikeli. Kjo situatë ka zhytur në krizë edhe industrinë shqiptare duke sjellë mbylljen e minierave.

Për të mos lejuar që industria të falimentojë, ministri Gjiknuri lajmëroi masën e parë për të cilën thotë se është rënë dakord me Ministrinë e Financave që është korrigjimi i çmimeve të referencës me atë aktual.
 
“Ne kemi marrë tashmë një vendim duke ndryshuar çmimet e referencës së eksportit. Bëhet fjalë për një udhëzim të vitit 2012 sipas së cilës tatimi (për rentën) realizohej me çmimet e kësaj periudhe. Sot, nuk mund të flitet më me këtë bazë, pasi çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë pësuar një rënie drastike. Përdorimi i këtyre çmimeve ishte një masë shumë arkaike pasi e dëmtonte shumë biznesin”, tha Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri tha se brenda 1 muaji do të arrihet një dakordësi edhe sa i përket lehtësimit të rentës minerare. “Jemi duke diskutuar me Ministrinë e Financave për të lehtësuar edhe disa elementë të tjerë që kanë të bëjnë me referencën për rentën, në mënyrë që të ulet çmimi i transportit nga çmimi bazë mbi të cilin llogaritet renta, apo elementë të tjerë teknikë”, theksoi Gjiknuri.

Vitin e fundit, përfaqësuesit e industrisë së kromit dhe deputetë të maxhorancës, kryesisht nga LSI kanë lobuar në qeveri për uljen e rentës minerare. Por kjo kërkesë nuk u pranua nga ish ministri i Financave, Cani dhe jozyrtarisht u fol se kjo ishte dhe një nga arsyet e largimit të tij nga qeveria.

Ndërkaq, burime për Top Channel thonë se pavarësisht kësaj, edhe ministri aktual i Financave ka deklaruar se do të mbajë të njëjtin qëndrim për këtë çështje me atë të parardhësit të tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA