Pjesa “Baresha”, interpetuar shumë herë nga virtuozi Shkëlzen Doli, është bërë e njohur për publikun për kombinimin e veçantë të muzikës klasike me atë popullore.
Pas këtij përpunimi qëndron muzikanti Gerti Druga, i cili vetëm prej pak kohësh ka marrë përsipër të drejtojë Ansamblin Popullor. E sigurisht që do t’ia nisë nga Doli, duke e risjellë në fund të muajit maj me një tjetër kombinim të veçantë në skenën e TKOB.
“Ky do jetë një koncert i fokusuar tek ansambli dhe violinisti. Po flasim për një kombinim të guximshëm dhe shpresoj e besoj se do të ketë shumë interes dhe sukses”, deklaron Druga.
Druga tenton të sjellë një frymë të re në drejtimin e këtij institucioni kur thotë se duhet ecur me hapin e kohës, për të qenë më modern, një nismë e vështirë, sipas tij, pasi aktualisht tregu muzikor ofron pak për një skenë si ajo e teatrit.
“Ajo çfarë është e re janë konceptimi i organizimit të një shfaqeje të re. Është futja e materialeve të reja dhe kjo është pjesa më kritike sa i përket kostos. Në repertorin e sotëm të muzikës popullore nuk gjendet asnjë material që do të ishte në vlerën e duhur për ta ngritur e për ta sjellë në TKOB. Kështu që duhet luftuar”, shton Druga.
Premiera nën drejtimin e Gerti Drugës do të vendoset në skenë më 22 maj.
Top Channel