Alibeaj: Kulla e stadiumit, favor ndaj Shullazit dhe Hakmarrjes

27/04/2016 00:00

Kreu i Departamentit të Rendit e Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, “po fsheh planin e tij për të kthyer në pallat fushën tek aneksi i Stadiumit Qemal Stafa”.

Sipas Alibeajt, Rama po e bën këtë “për të ndërtuar një kullë betoni ku besohet se kumbari ka bashkuar interesat e dy bandave të tij të preferuara: të Shullazit dhe Hakmarrjes për Drejtësi”.

Ne e denoncuam dy ditë më parë këtë projekt kriminal të Edi Ramës. Ai heshti. Heshti, sepse ai është arkitekti i zhdukjes së kësaj hapësire, i kthimit të saj në një masiv betoni për interesat e tij dhe të bandave të tij”, ka deklaruar Alibeaj.

Sipas tij, kjo fushë ishte parashikuar të bëhej lulishte nga bashkia e drejtuar nga Lulzim Basha dhe projekti për të ishte gati, “por projekti tashmë është hedhur poshtë nga Edi Rama për të mbjellë pallatin e bandave”.

“Edi Rama vazhdon kështu pa u ndalur në trajtimin e Tiranës si plaçkë, në ndarjen e trojeve më të çmuara të qytetit për klientët dhe banditët e tij. Qytetarët e Tiranës nuk mund të lejojnë që Edi Rama t’u marrë fushat, hapësirat, liqenin, parkun, stadiumin, për të ushqyer bandat dhe klientelën e tij. Eshtë koha e një bashkimi të fuqishëm kundër këtij sundimi kriminal”, ka shtuar Alibeaj.

Top Channel