Abuzimet e Ramës, 79 herë më të larta se në vitin 2010

27/04/2016 00:00

Partia Demokratike, me anë të deputetit Sherefedin Shehu, thekson se “raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon përmasat e rrezikshme të korrupsionit dhe grabitjes qeveritare” gjatë viteve të fundit.

“Vitet 2014 dhe 2015 do të mbahen mend si vitet e abuzimeve dhe grabitjes më të madhe qeveritare. Në këto 2 vite, 2.2 miliardë euro kanë shkuar nga arka e shtetit në xhepat e Ramës dhe njerëzve afër tij, si edhe për kriminelët që e sollën dhe po e mbajnë në këmbë këtë qeveri. Në vitin 2014 vjedhjet dhe abuzimet ishin 892 milionë dollarë nga të cilat 120 milionë favore dhe vjedhje të të ardhurave të buxhetit, 560 milionë vjedhje në tendera dhe pasuri publike, dhe 212 milionë dollarë nga favoret dhe abuzimet e kompanive publike, ku abuzimet më të mëdha, mbi 130 milionë dollarë, janë bërë në Albpetrol.
Në vitin 2015 abuzimet janë thelluar dhe vjedhjet në të ardhurat, prokurimet dhe shpenzimet e tjera publike arrijnë 1.03 miliardë dollarë dhe abuzimet në sektorët e tjerë publikë arrijnë në 290 milionë dollarë”, deklaroi Shehu.

Deputeti demokrat shtoi: “Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit tregon se rritja e vjedhjeve dhe abuzimeve me paratë e qytetarëve po bëhet e frikshme. Vjedhjet dhe abuzimet në vitin 2015 ishin 8.5 herë më të larta se në vitin 2013, por 79 herë më të larta se në vitin 2010. Në këtë vit, ka një peshë të madhe afera e Qeverisë me CEZ-in, por edhe po të zbresim efektin e kësaj afere, vjedhjet dhe abuzimet janë përkatësisht 4 dhe 37 herë më të larta se ne 2013. Vjedhjet dhe abuzimet më të mëdha janë bërë në tatime, dogana, prokurime dhe pronën publike. Në vitin 2015 ato janë rritur kundrejt vitit 2013 përkatësisht në tatime 100 herë, në dogana 11 herë, në prokurime 7.4 herë dhe në pronën publike 7.5 herë. Shifrat e mësipërme nuk përfshijnë gropën fiskale nga morealizimi i të ardhurave që në 2 vjet është mbi 400 milionë dollarë apo marrja e 1.32 miliardë dolarë borxh për palma, shkurre dhe shpenzime luksi. Këtu nuk janë as 88 milionë dollarët e vjedhura nga miqtë personalë të Ramës në tendera apo 91.6 milionë dollarët e tjerë që janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi dhe bileta avionësh”.

Top Channel