
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe ministrja e Turizmit Milva Ekonomi u kanë kërkuar operatorëve turistike që sjellin të huaj për të vizituar Tiranën të fusin në paketat edhe “Bunkart”.
Sipas tyre, “Bunkart” është një pikë tepër e rëndësishme e historisë së qytetit.
“Duke ringjallur dhe rikthyer jetën dhe turizmin tek Kalaja e Tiranës, Pazari i Ri, Shpella e Pëllumbasit, Kulla e Sahatit, Galeria e Arteve gjithashtu. Në memorien time nuk ka patur kurrë Tirana një paketë me kaq shumë stacione njëri më tërheqës se tjetri, sesa kësaj here”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.
Ministrja Ekonomi tha se përveç turizmit bregdetar dhe atij malor jemi duke punuar me bashkitë për të promovuar qytetin.
“Tirana ka pika të rëndësishme që mund të japë turizmin kulturor, aventurës, kulinar dhe turizmin që vjen si rezultat i kulturës së re, i ardhjes së risisë. Po përpiqemi të shtojmë këtë gjë, për të hapur sezonin dhe për të bërë ata që vijnë në Shqipëri që të konsumojnë një ditë dhe një produkt më shumë”, u shpreh ministrja Milva Ekonomi.
“Bunkart”, e cila administrohet nga qendra URA mund te konsiderohet si një muze i Luftës së Ftohtë. Në fillim, kur u hap pothuasje një vit më parë tërhoqi mjaft vizitorë kureshtarë të cilët jetuan ose jo gjatë regjimit komunist.
Top Channel