Reforma, mazhoranca teston opozitën pas bojkotit të Kuvendit

25/04/2016 00:00

Paralelisht me vendimin e bojkotit 10 ditor të Parlamentit, demokratët u njoftuan nga Kuvendi se duhet të ishin në mbledhjen e Komisionit për Reformën në Drejtësi. Një mision i pamundur, por i përkohshëm.

“Opozita tregoi se ka një qëndrim politik për të treguar qartësisht si të papranueshme me një standard tërësisht kriminal që mban Edi Rama. Në vend që të promovojë Prokurorinë dhe denoncuesit, dënon denoncuesit dhe bëhet krah për krah me krimin dhe avokatët e krimit”, deklaroi Eduard Halimi.

Por megjithëse munguan në mbledhje, demokratët mbajtën një qëndrim shpresëdhënëse për të ardhmen e reformës.
 
“Reforma në drejtësi do të bëhet. Projekti i reformës në drejtësi do të miratohet. Në ditët në vijim do të jetë punë e Komisionit të Reformës në Drejtësi që duhet të miratojë një projekt që ta mbajë drejtësinë larg Edi Ramës”, vijoi Halimi.

Socialistët duket se nuk do të presin shumë. pasi shqyrtuan përgjigjet e ekspertëve të huaj për pikëpyetjet e ngritura gjatë procesit të dialogut politik, Fatmir Xhafaj, i bëri një sfidë konkrete opozitës.

“Duke filluar nga java e ardhme është gati projekti i kushtetues për t’u votuar në Parlament nëse ka vullnet të opozitës. Mazhoranca ka vullnet absolut. Meqenëse të gjithë bërtasin ‘rroftë reforma në drejtësi’ menjëherë ta votojmë atë. Erdhi dita të tregojmë nëse kanë vullnet apo jo”, deklaroi Fatmir Xhafaj.

Top Channel