PD, Halimi: Rama s’e do reformën, do që të mbrojë bandat e tij

25/04/2016 16:25

Deputeti i PD, Eduard Halimi ka deklaruar se është kryeministri Rama ai që nuk do reformën në drejtësi, për shkak se do të mbrojë, siç tha ai, bandat e lidhura me të.

“Në vend që të dilte në mbrojtje të prokurorisë, dëshmitarëve dhe biznesmenëve që u është vënë gjoba, ai doli në mbrojtje dhe bëri avokatin e Shullazit. Kjo është drejtësia që kërkon Edi Rama, që kurrë nuk mund të jetë ajo që dëshirojnë shqiptarët”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, deklaratat për reformën në drejtësi vijnë nga personi më i pabesueshëm.

“Kush flet për reformën në drejtësi? Ai që mbolli shqipërinë me kanabis, ai që me dorën dhe firmën e vetë futi në Parlament njerëz të dënuar për trafik droge e prostitucioni. Ai flet për drejtësinë? Ai që ngriti traun për vrasësin e komisarit”, ka thënë Halimi.

Sipas tij, të gjitha këto janë arsye përse, “sistemi i drejtësisë duhet të jetë larg Edi Ramës”. “Projekti që Rama ka pasur në kokën e vetë për drejtësinë është rrëzuar nga Venecia. Rama vonoi reformën prej dy vjetësh. Edhe Byronë po e vonon sepse do që të mbrojë Shullazin. Edhe pasi Venecia dha rekomandimin, e shtyu reformën dhe byronë”, ka thënë Halimi.

Ai ka theksuar se, “PD është për një projekt gjithëpërfshirës në drejtësi”, që do të nisë, sipas tij, “me komponentin antikorrupsion dhe që do të ngrejë prokurorinë speciale, jo siç e do Rama dhe Shullazi i tij”.

“Reforma do të bëhet, por jo sipas projektit që Rama ka në kokë. Do të bëhet me projektin që Rama mban peng, siç e kërkon Komisioni i Venecias”, ka shtuar Halimi.

Top Channel