
Ministria e Kulturës ka vënë 20 milionë lekë të vjetra në shërbim të shtëpive botuese të huaja, me qëllim përkthimin e autorëve shqiptarë në gjuhë të ndryshme të botës.
Nga kjo shumë do të përfitojnë nga 7 deri në 10 autorë shqiptarë, përkthimin e të cilëve Ministria do ta mbështesë me 2 mijë euro, duke e bazuar këtë skemë në modelin e vendeve të rajonit.
“Hapja e fondit të përkthimit është një risi, bëhet për herë të parë. Është një risi që bëhet për të kuptuar se sa vepra merren dhe botohen në tregun e huaj nga letërsia shqipe”, thotë Mimoza Hysa, drejtore e Librit në Ministrinë e Kulturës.
Portofoli i shtëpive botuese, CV e pasur e përkthyesit, gjuha amtare e të cilit duhet të jetë ajo në të cilën do të përkthejë veprën shqip, si edhe jehona e autorit në Shqipëri, do të jenë disa nga kriteret e zgjedhjes së përfituesve të fondit.
“U adresohet shtëpive botuese të huaja që kanë një plan botimi dhe natyrisht në këtë plan botimi kanë blerë të drejtat për librat në gjuhë shqipe. Shpresojmë të ketë sepse është hera e parë dhe shpresojmë që të ketë të drejta të librave në gjuhën shqipe. Ka një kontratë me përkthyesit dhe vetëm pas këtyre hapave u drejtohen Ministrisë së Kulturës për mbështetje financiare”, shton Hysa.
Aplikimet do të jenë të hapura deri më datën 23 maj, ndërsa informacioni i detajuar gjendet në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës.
Top Channel