Basha: Ekonomia ndodhet në krizë

25/04/2016 00:00

Lulzim Basha u është përgjigjur përmes rrjeteve sociale deklaratave për rritje ekonomike të bëra nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar socialist.

Basha thotë se jo vetëm që ekonomia nuk është në rritje, por është në krizë të thellë.

“Papunësia rritet çdo muaj, borxhi në shifra alarmante, asnjë investim publik, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’ka rritje pensionesh e rrogash. Mesatarisht 2 mln lekë për familje u janë vjedhur shqiptarëve nga oligarkia Rama në vitin 2015”, thotë Basha.

Kreu i opozitës shton këtu edhe shifrat që sipas tij janë shpenzuar për luks qeveritar.

“91.6 milionë dollarë të shqiptarëve janë shpenzuar vetëm për zyra, makina, orendi, bileta avionësh, për luks. Me këto para do ishin hapur 12 mijë vende pune në vit me paga 500 dollarë në muaj, ose do ju ishte paguar ndihmë e plotë ekonomike 94 mijë familjeve në nevojë, ose do ishin ndërtuar dhe mobiluar 38 shkolla të reja”, shkruan kreu i demokratëve.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Rama tha se rritja ekonomike po kalon gradualisht nga e bazuar tek remitancat e emigrantëve tek investimet e huaja dhe të vendase. Lidhur me këtë deklaratë të kryeministrit, por edhe të tjera, do të flasë mesditën e së martës.

“Sa u përket investimeve të huaja, tenderave dhe koncesioneve, nesër në orën 12, fakte të reja tronditëse drejtpërdrejtë në media”, mbyll reagimin e tij Basha.

Top Channel