
Mbi 100 avionët MIG që ndodhen në bazat ushtarake të Forcave Ajrore të Shqipërisë do të shiten, shumica për skrap. Ndërkohë që e gjithë Forca Ajrore shqiptare po ndryshon dhe bazohet vetëm te helikopterët.
Ministrja e Mbrojtjes Kodheli ishte në bazën e Kuçovës me rastin e 65-vjetorit të Forcave Ajrore Ushtarake të Shqipërisë.
“Demilitarizimi i armatimit dhe municionit të tepërt, jo standard i NATO-s, me mbi 100 mijë ton municion dhe armatim, e njëjta gjë do të duhet të ndodh edhe me atë pjesë tashmë të panevojshme që janë avionët MIG që ne trashëguam nga e kaluara si një inventar i konsiderueshëm. Janë mbi 100 avionë”, deklaroi Kodheli.
Edhe pas largimit të avionëve të vjetër që nuk ngrihen më në ajër, baza ushtarake e Kuçovës do vazhdojë të funksionojë si e tillë edhe më vonë.
“Forca Ajrore e Forcave te Armatosura te Republikës se Shqipërisë sot është një forcë moderne, e pajisur mirë, e trajnuar shumë mirë, e stërvitur shumë mirë, por një forcë që ka rrezikshmërinë e saj. Për fat të keq, ky 65-vjetor vjen pas humbjes së dy pilotëve të rinj, të cilët thjeshtë dhe vetëm do të jenë një shembull për të gjithë shokët dhe bashkëpunëtorët e tyre”, tha Kodheli.
Top Channel