
Aleksandar Vuçiç arriti në qendrën e tij të votimit rreth mesditës. Për të treguar barazi, ai priti në radhë së bashku me të bijën. Njeriu, i cili pritet të fitojë në zgjedhje, ka thënë se Serbia duhet të marrë vendime të vështira, por qeveria e tij do të bëjë kujdes për të qenë një shtet i përgjegjshëm.
“Besoj se do t’u afrohemi standardeve europianë të jetesës dhe të vazhdojmë këtë rrugë duke respektuar lidhjet tona tradicionale me Rusinë, Kinën dhe vendet e tjera. Besojmë se vite më të mira do të vijnë. Nëse nuk fitojmë do të urojmë kundërshtarët”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.
Rreth 6-7 milionë qytetarë më të drejtë vote do të duhet të zgjedhin edhe njëherë mes një politike europiane dhe për reforma, apo ndonjë rrugë tjetër. Megjithatë, zgjedhjet mbahen në një atmosferë politike pa opozitë dhe duke parë forcimin e radikalëve, kryetari i cilëve, Vojislav Sheshel i lë vetëm një mundësi Vuçiçit: të bëjë koalicion.
I shfajësuar nga Gjykata e Hagës për krime lufte, ai është sërish në skenë.
“Ne mund të bëjmë koalicion vetëm me partitë që heqin dorë nga integrimi në BE dhe duan integrim me Rusinë”, tha Vojislav Sheshel, udhëheqës i Partisë Radikale të Serbisë.
Serbia ka votuar pafundësisht në dy dekadat e fundit, duke mbajtur shpesh zgjedhje dhe duke ndryshuar politikën e saj. E megjithatë, ende ndodhet në mes të së shkuarës së pazgjidhur dhe të ardhmes së papërcaktuar.
Në këtë formë pritet të konfirmohet edhe një mandat katërvjeçar për politikat e Vuçiçit dhe forcimin e pushtetit të tij.
Top Channel