Asambleja socialiste, Rama: Tani të kalojmë reformën në drejtësi

23/04/2016 10:25

Nga Asambleja e re Kombëtare, forumi më i lartë i PS, kryeministri Edi Rama e quajti referendumin si “një ushtrim të shkëlqyer demokratik” dhe kërkoi intensifikimin e anëtarësimeve të reja.

Për kryefjalën e debatit politik të momentit, reformën në drejtësi, kryeministri shpalosi gadishmërinë e radhës dhe një afat të ri për ta miratuar, duke theksuar se penguesit do të kenë kosto përvëluese nga populli dhe ndërkombetarët.

“Sot ne e shohim që reforma është shkak i një tensionimi artificial që rritet përditë me sebepe, alibi e justifikime që janë shprehje e sekëlldisë që ka shkaktuar reforma. Afatet fundore po afrojnë. Unë kam thënë se reforma mund të kalonte në mars, në prill, por po them se mund të kalojë edhe javën tjetër. Sepse ne kemi qenë gati në mars, jemi gati në prill dhe jemi gati edhe javën tjetër. Për ne reforma kalon në pak ditë”, deklaroi Rama.

Sipas statutit, Rama nominoi për kryesinë e re dy lista. Të meshkujve, ku nuk ishte emri i kundërshtarit të tij Ben Blushi; kurse në atë të femrave ka 3 prurje të reja: Anila Shehu, drejtoreshë e konvikteve; Klodiana Ferhati, kryetare e këshilltarëve të majtë në Bashkinë Tiranë; dhe Ogerta Manastirliu, drejtoreshë e QSUT.

E propozuara e Ramës për në kryesi, Arta Dade, u tërhoq në formë pakënaqësie, siç ajo e shpjegoi për mënyrën e drejtimit të PS. Ndërsa Namik Dokle, prej 25 vitesh anëtar kryesie, tha se preferenote t’ia linte vendin më të rinjve.

Krahas kryesisë, anëtarët e asamblesë votojnë për Gramoz Ruçin, kandidaturën e vetme të sekretarit të përgjithshëm; dhe të 6 anëtarëve të Sekretariatit Ekzekutiv të PS. Ben Blushi, i cili erdhi i fundit dhe iku i pari nga mbledhja e asamblesë, i quajti propozimet për kryesinë si një lavatriçe mediokriteti.

“Ka akoma kriminelë në këtë asamble, nuk kanë dalë dhe kjo është një nga ato shakatë pa kripë”, tha Blushi. I pyetur nga mediat për emrat e këtyre personave, ai u përgjigj: “Shkoni dhe merni në referencë se çfarë ka thënë Ambasada Amerikane”, tha Blushi.

***

Ndër të tjera gjatë fjalimit të tij, Rama tha se, në këto 3 vjet qeverisje janë realizuar ndërkohë një numër rekord reformash të tjera. “Kemi bërë më shumë reforma se asnjëherë më parë, në një kohë të shkurtër. Reformën territoriale-administrative, reformën fiskale, etj”, tha Rama.

“Jemi partia që kemi çliruar nga barra e taksave 97 për qind të shqiptarëve. Sot planifikojmë një rritje ekonomike 3.4 për qind, por mjafton të jemi mbi treshin”, shtoi shefi i qeverisë, për ta vënë theksin më tej edhe tek reforma në arsim, ajo në shëndetësi, etj.

Gjithashtu, Rama vlerësoi se, me kongresin e mbajtur dhe më pas me referendumin për mandatin e tij PS ka hyrë në një proces demokratik që do t’i shërbejë në të ardhmen

“Referendumi ishte një mjet i shkëlqyer demokratik, me një pjesëmarrje inkurajuese dhe motivuese. Ajo çka ka ndodhur në këtë periudhë të fundit është një motivacion jashtëzakonisht i fuqishëm për të ecur me vendosmëri përpara”, deklaroi Rama.

Sipas tij, “tani PS ka një mbështetje kaq të madhe e domethënëse dhe vullnet për t’u anëtarësuar në radhët e saj”. “Procesi i anëtarësimeve të reja nuk ka përfunduar, por me mbajtjen e kësaj asambleje anëtarësimi do të shtrihet në të gjithë vendin”, tha kreu i PS.

Ai nënvizoi se, plani për ripërtëritjen rrënjësore të forumit rinor socialist ka tërhequr mbi 4 mijë të rinj e të reja, ndërsa bëri thirrje për më shumë angazhim për përfshirjen e emigrantëve në vendimmarrje.

Më tej Rama u shpreh se, pavarësisht këtyre arritjeve ka vend edhe për reflektim. “Në 25-vjetorin e PS duhet të bëjmë edhe një reflektin në retrospektivë, për të parë arritjet dhe dështimet”, vijoi ai.

Top Channel